E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durres mbi 1 mije femije te lindur pa shperblim

Shpërblimi i vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave prej 5000 lekësh për çdo fëmijë të lindur nuk është dhënë ende për më shumë se 1000 familje në qytetin e Durrësit. Burime nga bashkia e qytetit bëjnë të ditur se nuk ka ardhur fondi për këtë kategori, edhe pse janë bërë kërkesa të herë pas hershme për këtë problem.

Drejtori i Gjendjes Civile në Bashkinë e Durrësit Shpendi Hoxha është shprehur se në bazë të raportimeve që vijnë nga pesë rajonet e bashkisë, ka më shumë se 1000 fëmijë të lindur që nuk kanë marrë shperblimin.

“Kemi dërguar disa herë shkresa për shpërblimin e fëmijëve, por s’ka ardhur akoma. Ka më shumë se 1 vit që që nuk kemi fonde. Kjo shumë rritet nga muaji në muaj, sepse lindin fëmijë dhe presin shpërblime. Vijnë ankohen”-thotë Hoxha.

Familjet e interesuara për këtë shpërblim duhet të paraqiten në bashki me një çertifikatë lindje të fëmijëve të tyre, por ecejaket e shpeshta kanë bërë që prej shume kohësh të mos ketë më interesime për të.

Sipas të dhënave të gjendjes civile që i referohen muajit mars të këtij viti, deri në këtë periudhë Bashkia e Durrësit përbëhet nga 50 375 familje me një popullsi prej 206 922 banorësh.

Aleks Kalemasi    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›