Zgjedhjet, 3700 kandidatë në mbrojtje të votës
Procesi i numërimit të votave është nga më delikatët dhe pavarësisht kësaj, kandidatët për deputetë të të gjitha partive u lind e drejta të monitorojnë numërimin e çdo vote. Në këto zgjedhje ka një numër rekord kandidatësh, ku për 140 vende në Kuvend garojnë rreth 3700 kandidatë, mes tyre vetëm njëri i pavarur. Por, në këto zgjedhje, ndryshe nga të parat, Kodi Zgjedhor u lejon kandidatëve për deputetë që të ndjekin nga afër numërimin e votave, që në përvojat e kaluara këtë të drejtë e kanë pasur vetëm vëzhguesit dhe media. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje udhëzimin përkatës për procesin e numërimit të votave, nga ku përcaktoi se gazetarët e akredituar, vëzhguesit e huaj dhe vendas të akredituar si dhe kandidatët për deputetë kanë të drejtë të ndjekin nga afër numërimin e votave. Miratimi i pikës së tretë, e kërkuar nga Kodi Zgjedhor, shkaktoi të qeshura mes përfaqësuesve të partive politike. Në të gjithë vendin do të ketë gjithsej 66 vende të numërimit të votave dhe një prej përfaqësuesve të partive pyeti se ç’do të ndodhte sikur të gjithë kandidatët e një qarku të dyndeshin në një vend numërimi votash. Kjo shkaktoi të qeshura edhe mes anëtarëve të KQZ-së.
Nga ana tjetër, procedura e numërimit të votave do të jetë nga më të rreptat. Kështu, çdo vend numërimi do të ketë rregulla të përcaktuara, do të vëzhgohet nga të huaj, si dhe nga kamera me monitorë të mëdhenj. Çdo anëtar i grupit të numërimit të votave e ka të ndaluar debatin dhe në rast se dyshon për ndonjë votë të pavlefshme, ai ngre dorën, duke kërkuar asistencën e KZAZ-së, e cila ndalon numërimin e votave në atë tavolinë deri në zgjidhjen e problemit. Nga ana tjetër, çdo votë që numërohet, tregohet nga kamera, ku fleta duhet të qëndrojë 3 sekonda.
Në udhëzimin e KQZ-së përcaktohen me detaje të gjitha ndërhyrjet që do të ndërmarrin grupet e numërimit të votave.
Por në mbledhjen e djeshme pati edhe debate në lidhje me çështje të tjera. Përfaqësuesi i opozitës në KQZ, Artan Laze, kërkoi që KQZ-ja të kërkojë informacionin më të fundit në Ministrinë e Brendshme për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Laze kërkoi të njëjtin informacion që edhe PS-ja kërkoi me anë të letrave publike dërguar në ministri, si listën e qytetarëve që s’kanë aplikuar ende, listën e qytetarëve që kanë pasaportë si dhe listën e qytetarëve që kanë aplikuar. Në mbledhjen e djeshme, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrastri, kërkoi nga PS-ja që të plotësojë kuotën në ligj prej 30 për qind gra në anëtarët e KZAZ-ve, ku socialistët kanë mangut 12 gra.