E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, ndalohet bashkëpunëtori i tretë i vrasjes

Ervin Kodra, 26 vjeç u ndalua të shtunën nga policia e Durrësit, pasi akuzohet për përkrahje të autorëve që ekzekutuan mesditën e djeshme Saimir Ballën, në qendër të qytetit bregdetar. 

DURRES -  Një 26 vjeçar u ndalua të shtunën nga policia e Durrësit, pasi akuzohet për përkrahje të autorëve që ekzekutuan mesditën e djeshme Saimir Ballën, në qendër të qytetit bregdetar.
Ervin Kodra, 26 vjeç, lindur e banues në lagjen nr.13 në plazhin e Durrësit u ndalua nga policia, lidhur me ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, ku mbeti i vrarë 25 vjeçari Balla.
Sipas policisë, Kodra ndihmoi shtetasit Elis Tefa, 21 vjeç, lindur në Burrel e banues në Durrës dhe shtetasin Orges Dervishi, 25 vjeç, që të dy lindur e banues në lagjen Nr. 14, të cilët qëlluan me armë zjarri mbi Ballën.
Mësohet se Tefa dhe Dervishi u ndaluan mbrëmjen e djshme nga policia. Ndërkohë që sot në mesditë policia bllokoi në cilësinë e provës materiale edhe armën e krimit, një pistoletë model 54 e kalibrit 7,62 mm, e cila pas ngjarjes ishte hedhur nga autorët në një kanal në lagjen Nr. 13 në plazhin e Durësit.
Të njëjtat burime saktësuan se autori i vrasjes është Elis Tefa, 21 vjeç, i cili ishte dënuar më parë për plagosje të rëndë.
Dje në mesditë në lagjen Nr. 11, në rrugën prapa Pallatit të Kultures së qytetit bregdetar Tefa dhe Dervishi u konfliktuan për motive të dobëta me shtetasin Saimir Balla.
Burimet saktësuan se pasi janë goditur me grushta me njëri-tjetrin në grindje e sipër e kanë qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vrarë 25 vjeçarin Balla.
Policia bëri të ditur se Elis Tefa dhe Orges Dervishi akuzohen për "vrasje me dashje në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake", ndërsa shtetasi Ervin Kodra për "përkrahje të autorit të krimit".
(O.Zh BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›