E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundërshton qeverinë: Buxheti i 2009-ës, piramidal

Partia Socialiste vazhdon te kontestoje projekt buxhetin e paraqitur nga qeveria për vitin 2009. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, e konsideron një Projetk buxhet demagogjik, me qëllim elektoral. 

TIRANE - Partia Socialiste vazhdon te kontestoje projekt buxhetin e paraqitur nga qeveria për vitin 2009. Qëndrimi i partisë me të madhe në opozite për draftin kryesor është se qeveria ka paraqitur nje projektbuxhet te çoroditur dhe piramidal. Deputeti Shpëtim Idrizi kontestoi atë qe ai e cilësoi revolucioni fiskal te qeverise qe rriti tatimet duke i shtrire ato edhe mbi dadot. “Vetëm gjatë një viti nga xhepat e shqiptarëve me rroga të ulëta janë marrë mbi 120 milionë dollarë. Ky revolucion fiskal po vazhdon i sigurt e qesharak me tatimin mbi dadot dhe atyre që kanë vaska floriri. Kurse shqiptarët e skemës së kafshatës, duhet të shtojnë radhët në dyqanet ku ushqimet e mbijetesa merret me lista” – tha Idrizi.

Ndërkohë ministria e Financave deklaron se: “Buxheti 2009 është më i madhi i miratuar historikisht dhe vendimtar në materializimin e programit ambicioz të qeverisë.”
“Opozita, e çorientuar përballë arritjeve fiskale të qeverisë dhe vlerësimeve pozitive si kurrë më parë nga partnerët ndërkombëtarë, prej ditësh në mënyrë të dëshpëruar po shpif rreth parametrave dhe objektivave të buxhetit 2009”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, e konsideron Projekt buxhetin e 6 muajve të fundit të kësaj qeverie, si një Projetk buxhet demagogjik, me qëllim elektoral. Ne shprehim keqardhjen që si dhe në këto 3 vjet dhe kësaj radhe, qeveria vjen me një Projekt buxhet të çoroditur dhe piramidal. Kjo qeveri, me sa duket është totalisht

“Ky Projektbuxhet tregon se kjo qeveri është e papërgjegjshme përballe përgjegjësisë së saj, për marrjen e masave për minimizimin e efekteve të mundshme të krizës globale financiare, e cila pritet të ketë ndikimet e veta dhe në vendin tonë”- vazhdoi Idrizi. Në këtë Projekt buxhet mungojnë masat për përballimin e rritjes së çmimeve dhe krizës së fortë globale financiare. Qeveria na e paraqet këtë Projektbuxhet të 6 muajve të fundit, që është shprehja më e qartë e dështimeve spektakolare të saj në këta 3 vjet e në rradhë të parë me premtimet e saj elektorale. Kjo qeveri vjen në këtë Projektbuxhet të fundit më e çoroditur se kurrë dhe për sa i përket rritjes ekonomike, ajo pritet të jetë nga 3.7 – 4 %, sipas FMN dhe mbi 6 % për qeverinë- vazhdon Idrizi.

Deficti buxhetor parashikohet dhe këtë vit të jetë mbi 50 miliard lekë. Në këto 3 vjet, 2006, 2007, 2008, qeveria ka marrë borxh mbi 1.3 miliard dollarë. Dhe me mbi 550 milion $ që parashikohen të merren në vitin 2009. Ky borxh gjatë mandatit të kësaj qeverie shkon në afërsisht 2 miliard dollarë. E këto 2 miliard dollarë janë marrë në emër të shqiptarëve dhe do të paguhen nga ata e ky është një tjetër taksim indirekt që kjo qeveri po u bën atyre.

Tatimi mbi xhiron

Sipas Idrizit qeveria ka mashtruar sa i përket uljes së taksave. Sipas tij u ul tatimi mbi xhiron e biznesin e vogël nga 3 % të xhiros në 1.5 %, efekti ishte vetëm 10 milion $ apo 200 $ në vit për çdo biznes. Por, që nga janari i vitit 2008 çdo biznes i vogël duhet të paguaj si gjithë bizneset e tjera tatim fitimi duke ju shumëfishuar tatimin.

Por, jo vetëm kaq, por tani i duhet të mbajë dokumentacion dhe regjistrime dhe bilanc si biznes i madh. E me ato 200 $ që përfitoi gjatë 1 vitit i duhet të paguaj një ekonomiste që do t’i kushtonte më shumë se 200 $ në muaj.

U ulën sigurimet shoqërore me 9 pikë, por shumë shpejt me vendim qeverie biznesit ju caktuan pagat referuese dhe numri i punëtorëve, efeketi në vend që të ishte në ulje solli 4 miliard apo mbi 40 milion $ më shumë në buxhetin e shtetit.
U ul tatimi mbi fitimin nga 20 në 10 % me efekt 8 miliard lekë, por 80 % të shumës së ulur e përfitojnë vetëm 5 kompani të mëdha dhe çuditërisht nëpërmjet vendosjes apriori të kësteve paraprake të tatim fitimit, ky tatim dhe pas përgjysminit na paraqitet me rritje- vazhdon Idrizi .

Sipas tij në vitin 2007 u rrit me 10 herë, pra nga 1 në 10 %, tatimi mbi shitjen e pasurisë. Nga kjo taksë që rëndon mbi shqiptarët mblidhen 2.2 miliard lekë apo mbi 25 milion $ në vit më shumë.

Akcizat

Akciza e naftës u rritën me 4 lekë për litër apo mbi 31 % në kulmin e krizës energjitike dhe të ritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Efekti 3 miliard lekë apo mbi 32 milion dollarë në vit.

Akciza e cigareve u rrit me 60 % që nga gushti i vitit 2006 apo 15 lekë paketa. Efekti 3 miliard lekë apo mbi 30 milion $. Në fakt, këto para’ nuk mblidhen se gjatë vitit 2006 – 2007 - 2008 mungojnë 800 – 1000 ton cigare nga kontrabanda në krahasim me vitin 2005.

Akciza e pijeve alkolike dhe verës me 55 % me një efekt prej 1 miliard lekë apo 10 %.

TVSH u premtua që do të ulej nga 20 në 17 % dhe 6 % për energjine elektrike. Do të bëhej 0 TVSH për shërbimet e edukimit, arsimit dhe barnave. Por, në mënyrë absurde vend të kësaj, u vendos TVSH me 20 % në sektorët prioritarë në arsim dhe shëndetësi, duke shtrenjtuar direkt me 20 % buxhetet e familjeve për arsimimin e fëmijeve të tyre masë kjo absurde.

U vendos TVSH dhe për librin. E sikur të mos mjaftonin këto u fut dhe përdorimi masiv i referencave.

U vendos TVSH dhe për OJF-të, dhe ç’është më e gabuara u vendos TVSH për makineritë e pajisjet e importuara, ajo paguhet brenda vitit kurse më përpara nuk paguhej etj. Efekti në buxhet mbi 5 miliard lekë në vit apo mbi 50 milion $.

U hoq nafta pa akcizë për fermerët.

U hoqën lehtësirat fiskale për fushën e turizmit, megjthatë ajo ishte prioritet i kësaj qeverie.

Por, ajo që është dhe më e rënda për taksapaguesit shqiptar, është vendosja e tatimit mbi të ardhurat mbi pagat e ulëta dhe të mesme. Pra, deri në 400 mijë lekë në nivelin 10 %, kur më parë ato tatoheshin me 1-5 %. Rritja mbi 10 herë e tatimit mbi pagat goditi mbi 300 mijë punonjës. Kurse nga kjo taksë buxheti i shtetit fryhet me 10 miliard lekë në vit. Mbi 120 milion dollarë më shumë merr buxheti i shtetit çdo vit nga pagat e qytetarëve me paga të ulëta dhe të mesme.

Ky revolucion fiskal po vazhdon i sigurt e qesharak me tatimin mbi dadot dhe atyre që kanë vaska floriri. Kurse shqiptarët e skemës së kafshatës, duhet të shtojnë radhët në dyqanet ku ushqimet e mbijetesa merret me lista- përfundon deklarata për shtyp e selisë rozë e paraqitur nëpërmjet deputetit të saj Shpëtim Idrizi.

(O.Zh BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›