Minatorët: Do të rinisim protestat më 15 dhjetor
TIRANE - Portestat e minatorëve nuk kanë reshtur gjatë gjithë këtij viti. Ata janë futur disa herë në grevë urie ndërkohë që kanë protestuar edhe para kryeministrisë. Por megjithë protestat e tyre, vdekja vazhdon të marrë jetë njerëzish nëpër miniera. Vetëm disa ditë më parë një tjetër minator mbeti i vdekur kur një masiv dheu u shkëput duke e zënë nënvete.
Sipas minatorëve qeveria, ende nuk ka marrë asnjë masë për të plotësuar kërkesat e tyre.
“Jemi këtu për ti treguar qeverisë se më të fortë se kurrë. Qeveria me ne nuk ka më vend për të heshtur. Sali Berisha duhet të veprojë sa më shpejt se ndryshe ne kemi dhe përshkallëzime të tjera”- ka thënë Fiqiri Xibri, në emër të minatorëve. Sipas tij protesta do të jetë si gjithmonë. “Ne do ta nisim protestën para Televizionit Publik Shqiptar i cili nuk transmeton asgjë për minatorët. Aty do të derdhim nga një thes me plehra dhe më pas protesta do të vazhdojë ose përpara kryeministrisë ose në një rrugë kryesore të Tiranës”- vazhdoi Xibri. Sipas tij minatorët këtë herë do të bllokojnë rrugën pa kufi derisa të ndërhyjë policia.
Ish minatorët kërkojnë të ulen në tryezë për të diskutuar në lidhje me kërkesat e tyre. Protesta pritet të përkrahet edhe nga minatorë të qyteteve të tjera. Minatorët kërkojnë statusin e pensionit ku përfshihet ulja e moshës së pensionit dhe rritja e vlerës së këtij pensioni.
(O.Zh BalkanWeb)