E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, ngujohet familja e autorit të vrasjeve për pronën, policia mbron banesën

Tragjedia e të dielës në Shkozet të Durrësit, ku dy persona mbeten të vdekur dhe një i plagosur gjatë një konflikti për arsye pronësie ka sjellë edhe pasojat e veta një ditë më pas për të gjithë fisin e agresorit. Familja e Kujtim Hasanajt, 38- vjeçarit nga Tropoja, dhe të afërmit e tyre që jetojnë në Durrës janë ngujuar, pasi ruhen ndaj hakmarrjes nga familjet e viktimave. Kujtim Hasanaj, dy ditë më parë vrau shtetasin Shaban Karabrahimi, 49 vjeç dhe bashkë me të edhe një kalimtar të rastit, Sadik Lazri, 28 vjeç si dhe plagosi të vëllanë e Shabanit, Iliridan Karabrahimin, 39 vjeç. Familjet e këtyre të fundit janë nisur në mëngjes herët për në qytetit e Bulqizës, për të kryer ceremoninë mortore. Ndërkohë, policia qëndron non stop pranë familjeve të ngujuara. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes familjeve të shtetasve Kujtim Hasanaj dhe Shaban Karabrahimi. Efektivat policore nuk kanë lejuar daljen e personave nga banesa e tyre, por në të njëjtën kohë nuk kanë lejuar që aty të futen as të afërm të familjes Hasanaj që mësuan për ngjarjen e rëndë mbrëmjen e së dielës. Në banesën e ngujuar gjenden të gjithë pjesëtarët e familjes Hasanaj, madje dhe fëmijët. Çdo kush që tenton ti afrohet banesës ku janë ngujuar familjarët e autorit të ngjarjes Kujtim Hasanaj, ndalohen nga policia e cila qëndron në gatishmëri përpara oborrit të banesës jashtë murit të rrethimit. Nga ana tjetër, policia e Durrësit ka përfunduar dokumentimin e ngjarjes së ditës së diel, duke kaluar në dispozicion provat materiale pranë organit të akuzës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Durrësit ka bërë regjistrimin e procedimit penal për shtetasin Kujtim Hasanaj, i cili akuzohet për veprën penale vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Molla e sherrit që u kthye në tragjedi ishte një tokë për të cilën pretendonin pronësinë që të dy familjet. Për të fituar të drejtën e pronësisë ato i janë drejtuar gjykatës, e cila kishte përfunduar çështjen civile duke vendosur që pronësia të kalojë mbi familjen e Kujtim Hasanaj që gjendet në këtë lagje. Fillimisht palët kanë rënë dakord për lirimin e tokës, por më pas vëllezërit Shaban dhe Iliradin Karabrahimi, të cilët janë fqinjë me autorin, kanë filluar të konfliktohen. Në këto kushte, 38- vjeçari Kujtim Hasanaj ka marrë një pistoletë që e mbante pa leje dhe ka qëlluar drejt vëllezërve. Në kohën që ka ndodhur kjo ngjarje, ka qenë në këtë vend edhe Sadik Lazri, i cili është qëlluar nga një plumb dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga plumbat e pistoletës është qëlluar edhe Shaban Karabrahimi si dhe vëllai i tij Iliridani, por ky i fundit është plagosur vetëm në dorë dhe nuk ka rrezik për jetën. Megjithë ndërhyrjen e shpejtë të mjekëve të urgjencës dhe kirurgjisë, Shaban Karabrahimi dhe Sadik Lazri kanë vdekur disa minuta pasi kanë mbërritur në spital. Sapo është njoftuar për ngjarjen, në vendin ku kishte ndodhur konflikti kanë shkuar me shpejtësi forca të shumta policore. Brenda një harku kohor të shkurtër, efektivat e rendit bënë të mundur kapjen e autorit, shtetasit Kujtim Hasanaj, bashkë me armën e krimit, ndërsa në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja pistolete. Hasanaj është zbuluar shumë shpejt se ku fshihej dhe më pas është arrestuar pa rezistencë, nga efektivat policore që morën pjesë në këtë aksion që ishin të shumta. 38- vjeçari Kujtim Hasanaj është tashmë në ambientet e paraburgimit të Durrësit dhe akuzohet për vrasje të dyfishtë me paramendim si dhe plagosjen e një personi të tretë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›