Vlorë, Karnavalet dhe Pashka, ndezin Nartën 3 ditë rresht
Një festë e menduar deri në detaj, që nga veshjet, maskat, këngët e vallet, ka qenë gjithçka e përgatitur nga banorët e nartës për festën e Pashëks. Të dielën, gjithë fshati ziente prej festës. Nën kujdesin e vetë kryetarit të komunës Fredo Berberi, janë marrë masa për pritjen e dhjetëra e qindra njerëzve dhe vend më i përshtatshëm për këtë festë është zgjedhur stadiumi i vjetër i fshatit.
Në këtë ditë binte në sy më së shumti gjallëria dhe veshja me maska të ndryshme. Është një i ri nga fshati me veshjen e gomarit që udhëheq gjithë festën që fillon të dielën dhe vazhdon deri të mërkurën. Përveç shkëmbimit të vezëve të skuqura që simbolizojnë festën e Pashkëve, në gjithë fshatin ndjehet pjekja e mishit dhe më kryesore është në këto ditë karnavalesh shkëmbimi i të gjitha ushqimeve të gatuarave midis vetë banorëve të fshatit. Padyshim që kulmi i kësaj feste është gëzimi i përbashkët i të gjithëve që marrin pjesë në këto karnavale kur bashkohen në stadiumin e vjetër të fshatit dhe në pak minuta dëgjojnë fjalimet përshëndetëse të të ftuarve ku nuk mungojnë edhe politikanët dhe më pas të gjithë i lëshohen këngëve dhe valleve. Në Nartë çdo vit, si një shenjë mirëseardhjeje të ditëve verore organizohen karnavalet, një festë kjo që tashmë bashkon komunitetin e kësaj zone në fshatin që po braktiset. Banorët thonë se kjo festë fetare ka marrë jetë nga viti 1922. Sipas banorëve dhe gjatë regjimit komunist ku të tilla festat u ndaluan, karnavalet në Nartë bëheshin edhe fshehurazi. Besimtarët ortodoksë në këtë fshat janë shumë të dhënë pas kësaj feste, çka duket tek mënyra se si i organizojnë, pjesëmarrja e tyre masive, ku madje dhe shqiptarët emigrantë vijnë nga vendet fqinje për të qenë të pranishëm në këtë ditë pranë vendit te tyre. Tradicionale për festimin e Pashkëve janë karnavalet, të cilat zgjasin 3 ditë e 3 net pa pushim dhe nën petkun e tyre këndohet dhe kërcehet në gjithë fshatin. Tipike janë maskat e shumta të përdorura, të cilat përfshijnë nga figura të njohura popullore e deri tek kafshët apo personazhe filmash vizatimorë. Përveç veshjeve në këto karnavale janë karakteristike vezët e kuqe të Pashkës, të cilat shpërndahen nëpër familje të ndryshme, duke i shkëmbyer mes tyre. Traditë gjithashtu është edhe bërja kurban e mishit të qengjit. Si çdo vit, edhe këtë herë atmosfera në fshatin Nartë, njohur ndryshe si fshati i traditës së karnavaleve, ka qenë e ndezur. Krishti u ngjall, ka përcjellë sipas traditës mijëra ngjyra e kostume të karnavalit, ku protagonistë kanë qenë kryesisht djem të këtij fshati.