Ambasadori holandez në Durrës, liberalizimi i vizave i mundshëm edhe në 2009
Ambasadori i Holandës, Henk Van Den Belt ka dhënë shumë shpresa në lidhje me realizimin e procesit të liberalizimit të vizave që gjatë këtij viti. Ambasadori holandez ka theksuar se procesi i liberalizimit me bashkimin Evropian është shumë i vështirë, pasi duhet të plotësohen disa standarde të përcaktuara, por kjo nuk do të thotë që lëvizja e lirë nuk do të fillojë.
Ambasadori holandez i ka bërë këto deklarata gjatë vizitës së tij në Durrës, pas ceremonisë së organizuar me rastin e 96 vjetorit të rënies së kolonelit holandez Thomson, në mbrojtje të pavarësisë. Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, i cili shoqërohej edhe nga ushtarakë holandezë si dhe autoritetet lokale të Durrësit, ka bërë homazhe pranë bustit të kolonelit Thomoson, i cili u vra në qytetin e Durrësit në vitin 1913, në përpjekje për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë. Pas ceremonisë, Van Den Belt deklaroi se koha kur mund të ndodhë heqja e regjimit të vizave ka shumë mundësi të jetë ky vit, ashtu siç mund të ndodhë edhe përgjatë vitit të ardhshëm, por Shqipëria, vazhdoi ambasadori holandez, do të ketë liberalizim vizash atëherë kur të ketë plotësuar të gjitha kushtet që janë parashtruar në dokumentin për liberalizimin e vizave. Duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm liberalizimin e vizave si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin e Europian, diplomati holandez, tha se Shqipëria duhet të punojë shumë për plotësuar standardet e kërkuara, ndërsa ka përshëndetur punën e bërë gjatë viteve. Për sa i përket liberalizimit të vizave. Diplomati holandez, gjithashtu pohoi se nga vendet e Bashkimit Europian vijnë sinjale pozitive. I pyetur nëse Shqipëria duhet të aplikojë ose jo përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, ambasadori Holandës u shpreh se është një çështje e rëndësishme dhe si e tillë duhen ndjekur të gjitha procedurat hap pas hapi, megjithatë Van Den Belt theksoi se është Shqipëria ajo që duhet të vendosë nëse duhet të aplikojë apo jo, pasi gjithçka varet nga zgjedhjet nëse zhvillohen sipas standardeve të kërkuara.