E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Akuzat e Mustafajt ndaj meje, fantazi komplotiste

Kreu i Transporteve do të konkurrojë në qarkun e Fierit
Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi i ka cilësuar të parëndësishme akuzat e Besnik Mustafaj, ku ky i fundit e ka akuzuar personalisht Olldashin si njeri intrigant dhe pa vlera. Nuk e kam dëgjuar drejtpërdrejtë deklaratën. Por, është si puna e konferencës së shtypit të Islamit që ka thënë se e kanë fajin kartat që ne do të humbasim zgjedhjet. Komentet individuale për njërin dhe tjetrin kanë pak rëndësi për mua, ka deklaruar Olldashi. Ndërsa deklaratën tjetër të Mustafajt se Olldashi përdoret për qëllime politike nga Topalli, ministri i Transportit e ka cilësuar fantazi komplotiste. Duke qëndruar në garën për kreun e PD- së, së Tiranës Olldashi është ndaluar tek procedura statutore e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve duke veçuar udhëzimin e lëshuar përpara se të fillonte gara, për kreun e kësaj dege dhe për mënyrën sesi do të zgjidhen delegatët. Delegatë në Kuvendin e Partisë Demokratike, të Tiranës do të jetë çdo kryetar seksioni i PD në kryeqytet, bëhet fjalë për 650 seksione që ka PD në kryeqytet. Një seksion mbulon një qendër votimi, kryetari i këtij seksioni do të jetë delegat, ka sqaruar Olldashi. Në lidhje me mbështetjen që Berisha i ka bërë Bumçit si kandidat për kreun e PD- së, Tiranë, ministri i Transporteve ka theksuar se çdo kryetar partie është i lirë të shpreh pëlqimet apo mospëlqimet e veta për çdo kandidat. Sipas tij, kreu i qeverisë nuk ka bërë fushatë për Bumçin, por ka shprehur vlerësimin e vet për njërin prej kandidatëve. Një tjetër çështje e prekur prej tij ka qenë edhe vargu i takimeve të zhvilluara kohët e fundit nga deputetët demokratë. Këto takime, janë një risi që PD po aplikon për herë të parë, dhe sipas Olldashit ato bëhen për realizimin e një bilanci. Jemi në fund të një mandati qeverisës, jemi duke bërë një bilanc me qytetarët duke i ballafaquar me realizmin e katër viteve, është normale, kjo është një procedurë transparente. Kemi bilance të tillë që të lejon të ndihesh mirë e të ballafaqohesh me gjërat që janë bërë të cilat janë të shumta, ka theksuar ai. Angazhimi i krahut demokrat gjatë mandatit të ardhshëm, nëse do të arrihet një i tillë, do të drejtohet në reformën e drejtësisë dhe strukturat e shëndetësisë. Përsa i përket konkurrimit për zgjedhjet e ardhshme, Olldashi veçon se ende nuk është marrë një vendim nga forumet e partisë, por beson se vet ai mund të konkurrojë në qarkun e Fierit. Gjithashtu, Olldashi theksoi se maxhoranca jep të gjitha garancitë për të përmbushur të gjitha standardet, përfshi këtu edhe procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Akuzat e Mustafaj ndaj Olldashit
Besnik Mustafaj, gjatë një emisioni televiziv ka akuzuar kryetarin aktual të PD-së, së Tiranës, Sokol Olldashin për manipulimin e procesit. Unë besoj te gara. Qëndrimi im i fundit do të jetë kur të kem listat e atyre, që do votojnë për kreun e PD-së së Tiranës. Pasi të shoh listat e atyre që do votojnë dhe të shoh se deri në çmasë janë demokratët dhe deri në çmasë janë disa vegla të përpunuara nga Sokol Olldashi dhe disa njerëz në qeveri për të deformuar procesin, kur të shoh se masa e atyre veglave që janë aty për të deformuar procesin nuk e dëmton tërësinë e delegatëve demokratë do të rri në garë. Largohem nga gara nëse nuk është ky raport minimal, ka theksuar ai. Gjithashtu, ish ministri i Jashtëm, Mustafaj ka akuzuar Olldadshin si intrigant të pavlerë. Olldashi është lojtar i vogël. Olldashin e ka përdorur Jozefina, e kanë përdorur disa njerëz të cilët mendonin se kandidimi im i bënte dëm PD-së. Unë jam polemik në këtë rast. Unë nuk po them se zoti Olldashi është hajdut. Unë them se lojën e tij politike e bën si lojtar i vogël, ka theksuar ai.
Olldashi: Opozita reflekton panikun e Ramës për humbjet e zgjedhjeve
I ndalur tek opozita, Olldashi ka deklaruar se kreu i saj Rama ka frikë nga zgjedhjet. Në deklaratat e PS, që  brenda kësaj jave të vendoset dhënia e kartave falas, shfaqet reflektimi i frikës së kryetarit të PS-së, Rama për të hyrë në zgjedhje. Frikën e Ramës nuk e nxjerr do Islami. Panikun e Ramës nuk e zgjidhim dot, ka veçuar Olldashi ku sipas tij opozita reflekton frikën e Ramës për humbjet në zgjedhjet dhe thekson se procesi për pajisjen e qytetarëve me kartat e identiteti po vazhdon normalisht. Gjithashtu, ministri i Transporteve ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës për katërfishimin e taksës së gjelbërimit dhe të pastrimit. Kujt ti besojë më parë populli shqiptar fjalëve të Ramës, apo taksave të rritura për qytetarët e Tiranës?, është shprehur Olldashi. Por, akuzat ndaj Ramës vazhdojnë edhe më tej, ku sipas tij kreu i PS në të gjitha takimet e fundit ka pasur me vete njerëz me precedent dhe me probleme me ligjin. Përsa i takon propozimit të fundit të bërë nga kreu i LSI, Ilir Meta, për mbledhjen e një tryeze partie për kartat e identitetit, Olldashi ka veçuar se nuk e ka dëgjuar një deklaratë të tillë, por përmend deklaratën e fundit të dëgjuar nga kjo forcë politike, atë të Dritan Priftit, ku ky i fundit ka ftuar qytetarët për aplikimin dhe pajisjen me letërnjoftimet elektronike.

Last Updated on Tuesday, 21 April 2009 12:04

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›