E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, ndihmuan klandestinët, prangosen 2 persona

Policia e Sarandës ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit shqiptar. Burime nga policia lokale bënë të ditur se sektori i krimit të organizuar në komisariatin e policisë së Sarandës ka rënë në gjurmët e personave organizatorë dhe transportuesve të klandestinëve të mbërritur në Sarandë nga rajonet veriore të vendit për të kaluar kufirin shtetëror pa dokumente. Sipas policisë, persona me prirje kriminale e kanë kthyer në profesion kalimin e kufirit në rrugë të paligjshme në pika më pak të kontrolluara dhe jashtë fokusit të policisë Kufitare, duke u bërë dorëzënë për sigurinë e kalimit të shtetasve në nevojë, kundrejt shpërblimit. Të njëjtat burime konfirmuan se në këtë linjë është bërë arrestimi në flagrancë ditën e djeshme, i shtetasve Vilson Bushkola, lindur në Mirditë dhe banues në fshatin Shëndëlli të Sarandës dhe Ferit Plaka, lindur dhe banues në Tiranë, janë ndaluar me akuzën dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm ë kufirit, parashikuar nga neni 298i KPP. Sipas policisë, të dy këta persona janë ndaluar në fshati Çiflig, shumë afër kufirit me Greqinë. Vilson Bushkola është ndaluar në flagrancë, kur ai po jepte ndihmë dy personave të rritur dhe një fëmije të mitur për kalim të paligjshëm kufiri kundrejt një shpërblimi, që ende nuk është deklaruar. Grupi i organizuar kishte kaluar përmes Lundrës së Butrintit në Kanalin e Vivarit dhe kishin ardhur nga Lezha për të kaluar kufirin në pikën e Kataetos. I ndihmuar edhe nga shtetasi Ferit Plaka, me makinën Mercedes benc 2400, me targë Tr 74 01  I , duke u paguar me 1600 euro nga çdo person i transportuar drejt kufirit, Vilson Bushkola në Butrint i është bashkuar grupit për tu bërë kallauz drejt Kataetos. Të trafikuarit kanë mbërritur deri në fshatin Çiflig, vetëm 1 km larg nga posta Kufitare e Kataetos, ku kishin edhe destinacionin përfundimtar të kalimit. Pikërisht këtu, sektori i luftës kundër trafiqeve, organizoi aksionin për arrestimin e shtetasve shkelës të ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›