Spital ; Ligj për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve
Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, sikurse mbrojtja e të drejtave të çdo grupimi tjetër social, konsiderohet si një hap themelor në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Nisur nga ky fakt, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka renditur si prioritete për të ardhmen krijimin me urgjencë të legjislacionit të munguar për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, krijimin e mekanizmave rregullatorë dhe të një kulture të re të përgjegjësisë për gjithçka që bëjmë dhe nuk bëjmë për pacientin. Në të drejtat e pacientit përfshihen 14 pika, ndër të cilat e drejta për informim, e drejta për akses, për t’u ankuar, për t’u kompensuar etj. "Për realizimin e këtyre prioriteteve kërkohet bashkëpunimi mes aktorëve kryesorë në këtë fushë si dhe promovimi i vazhdueshëm i të drejtave të pacientëve", - tha z. Dobjani në fjalën e tij, në të parën tryezë të rrumbullakët që u organizua sot në hotel “Tirana” për promovimin e të drejtave të pacientëve, nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QK-SCA), në bashkëpunim me Avokatin e Popullit. Shërbimi shëndetësor, sipas z. Dobjani, është një ndër objektivat primarë të punës së Avokatit të Popullit, pasi cilësia e shëndetit dhe e mbrojtjes së tij është një nga të drejtat më elementare që duhet të garantojë shteti shqiptar në dobi të të gjithë individëve që kanë nevojë për të. Ai informoi se në ankesat e shumta të shqyrtuara nga institucioni i Avokatit të Popullit, nga fillimi i veprimtarisë së tij e deri më sot, një vend të posaçëm zënë edhe ankesat që lidhen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet në vartësi të saj, si menaxhuesit dhe ofruesit kryesorë të shërbimit shëndetësor në vend. “Konstatohet se personeli ynë mjekësor nuk është ende i përgatitur për t’iu përgjigjur kërkesave të pacientëve, sidomos për të respektuar të drejtat e tyre”, - tha z. Dobjani, sipas të cilit dhe informimi i pacientit për të drejtat e tij, gjatë shërbimit shëndetësor që i ofrohet, rezulton të jetë i mangët. Ndërsa drejtori i QK-SCA-së, prof. Isuf Kalo, u shpreh se promovimi i të drejtave të pacientit dhe respektimi i tyre në kujdesin shëndetësor është bërë tashmë një lëvizje përtej kufijve institucionalë me përmasa qytetare dhe mbarevropiane. Tryeza e sotme u organizua në kuadër të Ditës Evropiane të të Drejtave të Pacientëve, që daton më 18 prill. Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të Shoqatave të Pacientëve, Kuvendi, Presidenca, Kryeministria, Ministria e Shëndetësisë, institucionet shëndetësore publike në vend dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.