Hetimi; Si funksiononte skema e korrupsionit të doganierëve dhe agjentëve të doganës
Dy ishin denoncimet që çuan në prangosjen e doganierëve, agjentëve doganorë dhe punonjësve të transportit që bënin targimin e automjeteve. Të gjendur përballë situatave korruptive, për të cilat personat e përfshirë kërkonin nga 4-5 milionë lekë, denoncuesit iu drejtuan Prokurorisë së Tiranës, konkretisht njësisë Task-Forcë, për të çjerrë maskën e korrupsionit të këtyre shtetasve nën hetim, nën masën e arrestit “burg pa afat” dhe “detyrim paraqitje”. Mësohet se gjatë hetimeve kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave, ndërkohë që provat që disponon organi i akuzës janë në foto, përgjime dhe forma të tjera të lejuara me vendim gjykate. Sipas burimeve nga akuza, rastet e denoncuara janë dy, ndërkohë që priten të tjera për t’iu shtuar dosjes hetimore në vijimësi. Ndërkohë, po sipas të njëjtit burim, pritet që sot dosja të dorëzohet në gjykatë për vleftësim të kushteve, në të cilat është zbatuar kjo masë e caktuar në mungesë nga gjykata dhe nesër të dalin përballë togave të zeza. Doganierët e akuzuar, në bashkëpunim me agjentët doganorë dhe punonjësit ku jepeshin lejet e drejtimit dhe pranoheshin dokumentet, kërkonin nga 4-5 milionë lekë për një automjet, me qëllim targimin e tij. Burimet nga akuza na shpjegojnë edhe mënyrën sesi funksiononte skema e bashkëpunimit mes tyre. “Makina vinte nga jashtë dhe dilte nga dogana pa dokumente, kalim i lejuar nga doganierët pa u zhdoganuar automjeti. Agjentët doganorë e merrnin pa targa dhe kundrejt shumave të konsiderueshme arrinin t’i bënin dokumentet përmes bashkëpunëtorëve ku pranoheshin dokumentet dhe targohej automjeti, dokumentacion i bërë me dokumente të falsifikuara. Për një zhdoganim dhe një targim automjeti, këta shtetas përfitonin deri në 5 milionë lekë”, - shprehen burimet nga akuza lidhur me mënyrën se si funksiononte bashkëpunimi mes 7 të akuzuarve. Kështu, pas disa muajsh hetime intensive me metoda speciale të përdorura nga hetuesit, u organizua operacioni i koduar “Porosia” dhe u ndaluan shtetasit Ëngjëll Dylgjeri, 48 vjeç, me detyrë agjent doganor, Xhevdet Mali, me detyrë agjent doganor, Ylli Sharri, 46 vjeç, komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë dhe Olgert Isa, 27 vjeç, me detyrë inxhinier pranues dokumentesh pranë Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, Frida Guxia, 56 vjeçe, me detyrë doganiere në Shkodër, Sofokli Qose, 42 vjeç, me detyrë doganier në Tiranë dhe Ilmi Krantia, 50 vjeç me detyrë doganier në Tiranë.