E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, nis kthimi i emigrantëve

DURRES - Fundi i 15-të ditëshit të parë të gushtit ka ndryshuar edhe kahun e lëvizjes së udhëtarëve drejt Italisë. 

Tashmë numri i atyre që lenë tokën shqiptare është dy herë më i lartë se ata që zbarkojnë në të. Vetëm gjatë mesditës së të shtunës janë nisur drejt Barit 1500 pasagjerë, ndërkohë që në mbrëmje kjo shifër është trefishuar. Në dispozicion të pritjes së udhëtarëve janë vënë 15 pika të kontrollit të pasaportave, ku në secilën prej tyre operojnë dy oficerë të kufirit. Megjithatë, situata mbetet përsëri e rëndë, pasi mungojnë mjediset dhe udhëtarëve u duhet të presin nën diellin përvëlues. Për të përballuar më mirë gjendjen është parë e arsyeshme vendosja e trageteve më të shpeshta në linjat Durrës-Bari. Temperaturat e larta të këtyre ditëve të gushtit e kanë bërë të rëndë pritjen e udhëtarëve në port, pavarësisht faktit se ritmet e përpunimit të pasagjerëve deri në imbarkim janë rritur ndjeshëm. Situata paraqitet problematike në sheshin e trageteve, ku së fundi veç trageteve të linjës niset edhe katamarani. Në mungesë të një çezme publike për t’u freskuar apo të një tende për t’u mbrojtur nga dielli, pasagjerët mbrohen si të munden nga rrezet përvëluese. Çdo pasagjeri i duhet të presë mesatarisht 40 minuta derisa ai të hyjë në bordin e anijes, duke e bërë qëndrimin në radhë të padurueshëm. Fluksi i lartë i lëvizjes së pasagjerëve në Portin e Durrësit do të zgjasë deri më 15 shtator dhe përballimi i kësaj situate do të mbetet një sfidë e vështirë për Autoritetet Portuale.                                     o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›