E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët, “peng” emigrantët te 1 sportel

Kakavija është kthyer dje në pikën më të populluar, si pasojë e fluksit të emigrantëve që ktheheshin në Greqi. 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës e deri në orët e mesditës, radha e krijuar në territorin shqiptar i kishte kaluar 5 kilometra. Shkak ka qenë funksionimi me vetëm 1 sportel i palës greke, ndërsa tre të tjerët ishin të mbyllur. Vonesat krijuan anomali në përpunimin e dokumenteve të emigrantëve, që rikthehen pas pushimeve verore në shtetin fqinj. Fundjava dhe sezoni i pushimeve ka bërë që 3 sportelet e policisë greke, që funksionojnë normalisht të jenë të mbyllura. Për të zgjidhur situatën e krijuar në mënyrë të njëanshme, drejtori i Policisë Kufitare dhe Migracionit, Vasil Valera ndërmori një takim me homologun grek në orët e mesditës së të shtunës. Fill pas takimit dypalësh pa praninë e medias, pala greke ka shtuar edhe tri sportele të tjera, duke rritur ndjeshëm volumin e kontrollit të dokumentacioneve në pikën greke të Kakavijës. Rreth orës 13:00, radhët filluan të eliminohen dhe në orën 15:30 situata është normalizuar plotësisht. Ndërkohë, në radhët e emigrantëve nuk fshihej revolta karshi gjendjes së krijuar, pavarësisht se i kujt ishte faji për krijimin e radhëve nën diellin e nxehtë dhe temperaturave të larta të së shtunës. “Nga pala shqiptare është proceduar normalisht, duke vënë në dispozicion tetë sportele në drejtim të Greqisë dhe tre në hyrje të Shqipërisë. Por, deri më tani radhët janë krijuar për shkak të përpunimit të ngadalësuar të dokumenteve nga pala greke sepse punohet me një sportel të vetëm në hyrje”, u shpreh zëdhënësi i Policisë Kufitare Gentijan Mullai për gazetën “Panorama”. Policia e Gjirokastrës ka dhënë një kontribut mjaft të veçantë në normalizimin e situatës në Kakavijë. Postblloqe të Policisë Rrugore u instaluan në urën e Leklit, në zonën mes Përmetit, Gjirokastrës dhe Tepelenës për t’u sugjeruar drejtuesve të automjeteve që kishin marrë drejtimin për në Greqi, që të përdornin edhe pikën tjetër kufitare të Tri Urave, pasi Kakavija ishte e tejmbushur me emigrantë. Kjo mesa duket reduktoi radhët e automjeteve në Kakavije rreth mesditës. Sipas të dhënave zyrtare, në Kakavijë prej orës 01:00 e deri në orën 15:30 të së shtunës kanë kaluar drejt Greqisë mbi 4 mijë emigrantë dhe 1 mijë automjete, tregues i qartë ky i ngadalësimit të punës së autoriteteve greke. Ndërsa në të tre pikat kufitare Kakavije, Sopik dhe Tri Urat, gjatë 24 orëve të fundit, kanë kaluar drejt shtetit fqinj, 12 mijë persona. Mendohet që fluksi i udhëtarëve do të jetë në rritje gjatë ditës së sotme dhe në vijim, pasi përkon me mbylljen e sezonit veror dhe rikthimin në punë të emigrantëve. Një numër i madh personash kanë pritur dje dhe në doganën e Kapshticës në Korçë, pasi fundjava është zgjedhur prej tyre për të kaluar përtej kufirit, me autobusë apo mjete private. Lëvizjet drejt Greqisë janë kryer dhe në pikat e tjera kufitare, si nga ajo tokësore në Qafë-Botë dhe nga porti i Sarandës drejt Korfuzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›