E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, vetëplagoset 35-vjeçari me armën e gjetur në mes të rrugës

 

TIRANE - Plagoset me armën edhe fishekët e gjetur në kazanin e plehrave, policia arreston të dëmtuarin duke e akuzuar për armëmbajtje pa leje. Lulëzim Aliu, 35 vjeç, banues në Shkozë, ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa ka qenë në gjendje të dehur në shtëpinë e tij, duke parë një armë automatik “Kallashnikov”. Arma e cila ishte gjetur nga i dëmtuari, vetëm një orë më parë në një kosh të lagjes e hedhur aty bashkë me një sasi prej rreth 100 fishekësh, i qe dukur e nevojshme Aliut. Për këtë shkak, burri që shpesh herë kontrollonte kazanët e plehrave për të gjetur ndonjë send të vlefshëm të premten në mbrëmje gjeti një armë dhe mendoi se i vlente. E çoi bashkë me vjeturinat e tjera në shtëpinë e tij të varfër dhe nisi ta vëzhgonte, ndërsa ishte në gjendje të dehur. Nuk zgjati shumë dhe teksa po pastronte armën, e cila qelbej nga era e plehrave, ajo është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme. 35-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë në këmbë dhe sipas mjekëve, i dëmtuari rrezikonte këmbën për shkak se plumbi i kishte kapur kockën. Ndërkaq pas ngjarjes në banesën e të plagosurit, ka mbërritur policia e Komisariatit nr.1, që ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave. Këqyrja e vendit të ngjarjes, marrja e deklarimeve të dëshmitarëve dhe familjarëve, ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes. Hetuesit kanë mësuar se Lulëzim Aliu, ishte plagosur aksidentalisht, duke pastruar armën e gjetur në plehra. Por veç faktit që 35-vjeçari është plagosur, ai rrezikon edhe burgun, për mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake. Kjo pasi policia ka dërguar ndaj tij, materialet për ndjekje penale në Prokurori, ndërsa ai është i ndaluar në spital.      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›