Shkelet hapësira ajrore shqiptare
Një avion i vogël italian, tip “Charter” me kapacitet 2-vendesh, ka shkelur hapësirën ajrore shqiptare pak kohë më parë.
Trazhgim Sokolaj
Ai ka bërë ulje të pa paralajmëruar dhe pa lejen e autoriteteve në aeroportin e Rinasit, madje duke rrezikuar edhe jetën e pasagjerëve që ndodheshin në një avion tjetër transporti në çastin e ngritjes. Në bordin e mjetit fluturues që ka alarmuar policinë shqiptare dhe aeroportin e Rinasit, ndodhej piloti dhe një person tjetër me shtetësi italiane. Ata nuk ishin pajisur me leje për hyrje në Shqipëri, ndërsa kanë bërë uljen e avionit në Rinas pa bërë asnjë lajmërim paraprak, siç parashikohet në procedurat e trafikut ajror. Në momentin e uljes avioni dyvendësh ka zbritur në pistën e aeroportit në një sektor ku ndodhej një tjetër avion i madh transporti, i cili në ato momente po kryente procedurat e ngritjes me mbi 100 pasagjerë në bord. Ngjarja e paparashikuar kaloi pa dëmtime në njerëz dhe pa pasoja materiale, por Prokuroria e Tiranës urdhëroi bllokimin e avionit italian menjëherë pasi është lajmëruar për incidentin nga Agjencia Kombëtare e Trafikut Ajror, ANTA. Rreth dy javë më parë, ANTA lajmëroi policinë dhe Prokurorinë shqiptare për ngjarjen e ndodhur me avionin italian, madje bëri denoncim për ndjekje penale ndaj dy personave që ndodheshin në bordin e “Charter”-it privat. Aktualisht “Charteri” i vogël 2-vendesh, ndodhet i bllokuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dhe po mbahet në një sektor të veçantë të aeroportit të Rinasit. Për dy personat që ndodheshin në bordin e avionit të bllokuar, Prokuroria e Tiranës ka filluar ndjekjen penale me akuzën e “shkeljes së rregullave të trafikut ajror”, ndërsa ata po hetohen edhe për “kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”. Sipas burimeve zyrtare mësohet se ndaj dy personave që janë ulur në Rinas me avionin italian ka filluar ndjekja penale në gjendje të lirë, ndërsa mjeti fluturues është bllokuar me urdhër të Prokurorisë. Ai nuk është lejuar të ngrihet nga Rinasi, ndërsa piloti dhe personi tjetër italian, i prezantuar si biznesmen, janë ndaluar për disa orë në polici e më pas janë lënë të lirë. Atyre u janë kërkuar sqarime të hollësishme për ngjarjen e ndodhur në Rinas, por argumentet e dhëna prej tyre kanë qenë se ata kishin bërë ulje të tilla edhe në aeroportet e disa vendeve fqinje me Shqipërinë dhe asgjë nuk ishte keqkuptuar. Personi i prezantuar si biznesmen ka pretenduar se kishte udhëtuar në drejtim të Shqipërisë, pasi atë ditë ka pasur një takim në Ministrinë e Ekonomisë lidhur me nënshkrimin e një kontrate. Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë kontaktuar me Ministrinë e Ekonomisë, prej nga kanë mësuar se në këtë institucion nuk ishte programuar asnjë takim i çfarëdo niveli në datën kur avioni italian u ul në Rinas dhe aq më tepër me personin që prezantohej si biznesmen. Një konfirmim i tillë ka rritur më tej dyshimet e policisë së Tiranës, e cila pasi është konsultuar me Prokurorinë, i ka lënë të lirë dy personat e dyshimtë, por duke vijuar vëzhgimin e tyre për disa ditë me radhë.
Biznesmeni: Erdha për takime në Tiranë
Biznesmeni italian që ndodhej në avionin “Charter”, i cili është ulur pa leje në Rinas pak ditë më parë, ka deklaruar se kishte ardhur në Tiranë për disa takime lidhur me biznesin e tij. Në fakt, një deklarim të tillë kishte bërë edhe piloti i avionit privat në kohën që ka hyrë në komunikim me kullën e kontrollit ajror të Rinasit, duke kërkuar leje për uljen e mjetit fluturues. Ai ka thënë se në bord kishte një sipërmarrës italian, i cili kishte planifikuar disa takime të rëndësishme biznesi në Tiranë. Pa marrë autorizimin dhe lejen e kullës së Rinasit, avioni është ulur në sektorin ku ndodhej një tjetër avion i transportit të pasagjerëve, i cili në ato momente po kryente procedurën e ngritjes. Distanca mes trajektores së lëvizjes së dy avionëve mësohet se ka qenë rrezik për ndonjë incident, por fatmirësisht situata ka kaluar pa dëmtime. Policia ka mbërritur menjëherë duke shoqëruar dy personat që ndodheshin në avionin e dyshimtë, ndërsa “Charter”-i është vendosur në një sektor të veçantë të aeroportit. Nga ana tjetër, policia dhe organet e tjera të specializuara kanë bërë verifikimet në Ministrinë e Ekonomisë, ku biznesmeni italian kishte pretenduar se do të zhvillonte takime për nënshkrimin e një kontrate. Nga verifikimet në Ministrinë e Ekonomisë dhe kontaktet me zyrtarë të këtij institucioni, është konfirmuar se alibia e biznesmenit italian ishte e pavërtetë.
Rregullorja, avionët duhet të lajmërojnë
Rregullorja e trafikut ajror parashikon që në rastin e avionit italian, kulla e aeroportit apo aerodromit nga i cili ai është ngritur në fluturim me destinacion Shqipërinë, të hyjnë në komunikim me kullën e Rinasit. Ata duhet të japin të dhënat identifikuese të mjetit fluturues, të lajmërojnë qëllimet e fluturimit të tij në hapësirën ajrore shqiptare, të marrin konfirmim për korsinë e lirë të fluturimit dhe pasi të marrin miratim për të gjitha këto, të kërkojnë autorizim për uljen. Edhe ulja në aeroport bëhet duke lajmëruar kohën e saktë të mbërritjes së avionit, numrin e personave në bord, llojin e mjetit fluturues dhe seksionin e veçantë të pistës që mund të vihet në dispozicion të tij. Pas kryerjes së këtyre procedurave ulja mund të konsiderohet e rregullt në kuadër të rregullores së trafikut ajror
dhe legjislacionit përkatës të kësaj fushe.