E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt 7.1 milionë euro për sistemin e ri doganor

Sistem i ri ligjor, doganor dhe tatimor, për të luftuar evazionin dhe trafikun, si dhe për të forcuar tregtinë e ligjshme. 

Këto janë përfitimet që do të ketë Shqipëria nga projekti më i ri i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti TACTA (Asistenca Teknike për Administratat Doganore dhe Tatimore) e financuar nga Bashkimi Evropian, zhvilloi mbledhjen e parë të komitetit drejtues. Projekti zbatohet nga agjencia doganore italiane dhe është planifikuar për 5 vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbi. Ky projekt i cili kushton 7.1 milionë euro, financohet nga programi rajonal IPA. TACTA mundëson asistencë për modernizimin e strukturave organizative dhe procedurave operacionale të administratave doganore, në përputhje me standardet e BE-së, si dhe krijimin e strategjive të reja kundër evazionit dhe trafikut të paligjshëm. Mbledhja u zhvillua në ambientet e delegacionit të KE-së në Tiranë, Shqipëri. Komiteti drejtues përbëhej nga përfaqësues të Komisionit Evropian, Alexander Troppmann nga Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit,  Radu Hurjui nga TAXUD,  Aneil Singh, i ngarkuari me punë (Charge d’affairs) dhe  Lora Ujkaj, menaxhere e projektit nga delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri, Florian Mima, zëvendësministër i Financave, Përparim Dervishi, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të doganave shqiptare dhe përfaqësues të tjerë nga administrata doganore,  Natalina Cea, Menaxhere e Projektit TACTA, përfaqësues të tjerë nga konsorciumit ITACA, Vito Malanga, shefi i Misionit të EU-TACTA Albania, të gjithë ekspertët e EU-TACTA Albania, si dhe përfaqësues nga PAMECA dhe EURALIUS. Fjala e mirëseardhjes u mbajt nga përfaqësuesi i Komisionit Evropian, DP e Zgjerimit, Alexander Troppmann dhe u vijua me fjalën e zëvendësministrit të Financave, Florian Mima. Komiteti Drejtues vlerësoi performancën e mirë dhe arritjet e rëndësishme të bëra nga projekti, por gjithashtu theksoi presionin mbi kohëzgjatjen e projekteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›