E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau gruan, dënohet me 15 vjet burg Shpëtim Zhllima



Vrau gruan në gjendje të dehur, me sytë e errur nga xhelozia, shpallet fajtor dhe dënohet me 15 vjet nga gjykata. I pandehuri ka pranuar krimin para gjykatës dhe ka shprehur pendesë, ndërkohë që gjyqi ka përfunduar në kohë të shkurtër, sepse është aplikuar gjykimi i shkurtuar. Bëhet fjalë për shtetasin Shpëtim Zhllima, për të cilin togat e zeza kanë shpallur vendimin dhe e kanë dënuar me 15 vjet heqje lirie. I pandehuri akuzohet se në gjendje të dehur ka vrarë gruan e tij, Nafije Zhllima, nënën e dy fëmijëve dhe më pas ka tentuar të vrasë veten. Pas krimit të rëndë, Zhllima ka tentuar të largohet nga banesa, por është arrestuar brenda një kohe të shkurtër vetëm 500 metra larg saj. Sipas hetimit gjyqësor, ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Spitalit Ushtarak, te zona e quajtur "Treshi". Ka qenë një nga fqinjët e çiftit që njoftoi policinë për sherrin mes tyre. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur të traumatizuar dy fëmijët e çiftit Zhllima, vajzë e djalë të moshës 14 dhe 8 vjeç. Policia mbërriti në kohë ta gjente 41-vjeçaren gjallë, por pa mundur t’i shpëtojë jetën, pasi plagët e marra ishin vdekjeprurëse. Pavarësisht mbërritjes në Spitalin Ushtarak, gruaja ndërroi jetë. Menjëherë nisi edhe kërkimi i autorit të ngjarjes, të pandehurit Zhllima, për të cilin morën dijeni nga familja se ishte ai personi që vrau gruan.

Ngjarja

Sipas akuzës, e cila parashtroi ngjarjen gjatë kërkesës për dënimin e të pandehurit, gruaja kishte shtruar darkën, në pritje të të shoqit, i cili ka ardhur i dehur në banesë. Fëmijët kishin rënë në gjumë, ndërkohë që ata, të dy

bashkë, kanë nisur të hanë darkën. Në këtë kohë, mes tyre ka nisur një sherr për gjellën, e nga fjala në fjalë debati ka degjeneruar në xhelozi. Burri i pirë ka shfaqur shenja të theksuara dyshimesh për gruan e tij, duke e akuzuar për

tradhti. Por, ajo nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe sherri ka marrë nota më të ashpra, derisa 40-vjeçari ka marrë thikën mbi tavolinë dhe është vërsulur drejt të shoqes. Ajo ka tentuar të largohet, por thika e ngulur në kurriz ia ka ndalur vrapin. Më pas, një tjetër goditje e ka pasuar në qafë, e goditja përfundimtare i është dhënë në pjesën e përparme të barkut. Sipas ekspertëve, krimi ka qenë tejet i dhunshëm. Por menjëherë, fëmijët,

të frikësuar janë afruar, ndërsa burri është kthjelluar për atë veprim që kishte kryer. Duke dalë në korridor, ai ka goditur veten me thikë dhe është nisur për t’u larguar. Megjithatë, arratia e tij ka marrë fund, pasi është prangosur nga policia dhe është akuzuar për “vrasje me dashje”.

Detaj

40-vjeçari ka marrë thikën mbi tavolinë dhe është vërsulur drejt të shoqes Nafije Zhllima

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›