Durrës, një 14-vjeçar vret një 18-vjeçar
Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar mesnatën e se dielës një 14-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autor i vrasjes me thikë të një të riu në qytetin bregdetar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, bënë të ditur se 14-vjeçari me iniciale Xh. H., është arrestuar 5 orë pas ngjarjes. Sipas të njejtave burime, mësohet se ngjarja në të cilën mbeti i plagosur rëndë 18-vjeçari, Oltion Muça, ka ndodhur rreth orës 18:45 pranë shkollës së fiskulturës "Bernardina Qeraxhia" në lagjen nr.16 të qytetit bregdetar.
Burimet e policisë thanë se, 18 vjeçari Muça ka ndërruar jetë rreth 1 orë pasi ka mbërritur në spitalin rajonal të Durrësit. 14 vjeçari Xh. H., dhe viktima Muça, janë grindur për motive të dobëta në një nga lokalet pranë shkollës, por ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar në vrasjen e të riut. 14-vjeçari ishte fshehur jo shumë larg vendit të krimit, ndërsa bashkë me të janë shoqëruar në mjediset e komisariatit edhe tre të rinj të tjerë, që mendohet se kanë lidhje me këtë ngjarje të rëndë.