E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, nuk paguanin taksat, procedohen penalisht 10 administratorë firmash

Seksioni i luftës kundër krimit ekonomik-financiar ka filluar procedimin penal për 10 administratorë firmash të ndryshme, të cilët janë denoncuar në organet e policisë për mospagimin e taksave dhe detyrimeve tatimore. Në zbatim të detyrave të Planit të Masave të Drejtorisë së policisë së Qarkut "me qellim goditjen e veprimtarisë kriminale për krime në fushën e kontrabandës dhe tatim taksave janë proceduar penalisht administratorët e 10 shoqërive tregtare me aktivitete të llojeve të ndryshme. Bëhet fjalë për shoqëritë tregtare: Plava, Almond, Punetori, E.D.I Konstruksion, Adnain, Adria Trans, Euro Al, Enver Balla shpk, Euro Beton dhe Gjema. Subjektet e mësipërme nuk kanë paguar taksat dhe detyrimet tatimore për një kohë të gjatë dhe në këtë mënyrë drejtoria rajonale tatimore kishte gjobitur disa herë subjektet e mësipërme. Duke qenë se subjektet nuk kanë reaguar edhe pas masave administrative, që janë gjobat, është bërë denoncimi i tyre në polici për ndjekje penale. Këta administratorë kanë në administrim shoqëri tregtare me statusin e bizneseve juridike që operojnë në qytetin e Durrësit. Policia nuk ka bërë të ditur emrat e administratorëve të këtyre firmave, ndërkohë që kemi të bëjmë me firma që merren me aktivitetet të ndryshme, si: prodhim betoni, transport mallrash, firma ndërtuese. Të 10 administratorët e këtyre shoqërive akuzohen për veprën penale të "mospagimit të taksave dhe tatimeve", ndërkohë që pas nisjes së procedimit penal nga sektori i krimit ekonomiko-financiar është prokuroria e cila ka nisur gjithashtu hetimet për këto probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›