E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bum divorcesh në gjykatë, për 3 muaj ndahen 137 çifte

Vetëm 3 muaj i kemi marrë vitit 2009 dhe Fieri ka shpërthyer nga familjet e ndara dhe të shkatërruara. Shifrat alarmante janë publikuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, e cila aktualisht pas një analize për tre mujorin e parë regjistron shifra rekord të divorceve të paraqitura. Sipas të dhënave nga ky institucion, numri i divorceve të paraqitur shkon në 137, ndërkohë që 70% e tyre kanë mundur të zgjidhin përfundimisht martesën e tyre me vendim gjykate, zgjidhjen martesore me ndarje ndërkohë që pjesa tjetër është pushuar ose është në vazhdim gjykimi. Duke iu referuar të dhënave të gjykatës së Fierit, vetëm ky 3-mujor shënon gati 38% të divorceve të regjistruara sa për të gjithë vitin 2008, vit që numëroi 398 divorce. Shifrat janë tronditëse, sepse ky fenomen po rritet gjithmonë nga viti në vit duke çuar në shpërbërjen e familjeve në rrethin Fier, por duke shtuar edhe kategorinë e fëmijëve të mbetur jetim. Rreth 50% e divorceve e përbëjnë familjet e reja me një ose 2 fëmijë, ndërkohë që ndarjet e çifteve kanë pasur si motiv sërish çështjet e nivelit të ulët ekonomik, papunësisë dhe emigracioni. Duke e krahasuar me vitin e kaluar këtë vit numri i divorceve është më i lartë. Avokatët janë shprehur se një nga shkaqet më thelbësore që përbëjnë prishjen e martesës së një çifti janë ato ekonomike. Gjithsesi nuk përjashtohen edhe shkaqe të tjera nga ato më të rëndat e deri më banalet. Sipas avokatëve, 95% e çifteve ne seancën e pajtimit kanë zgjidhur kurorën. Ndërkohë faktorët që e çojnë një familje të shpërbëhet janë edhe faktorët e jashtëm që ndikuan në vendin tonë si hapja e kufijve dhe emigracioni. Një pjesë e lartë e numrit të divorceve janë shkaktuar edhe nga emigrimi i njërit prej bashkëshortëve për një periudhë të gjatë kohe sidomos e burrave. Por nuk përjashtohen edhe rastet e martesave me shkuesi dhe jo mbi bazën e njohjes së vetë çiftit. Shkak tjetër është mospërputhja e karaktereve, zakonet ende maskiliste që burri duhet të zotërojë mbi gjithçka edhe në jetën private të gruas duke mos e toleruar në asgjë, martesat në moshë të vogël dhe të papjekur për ti përballuar vështirësitë e jetës, shprehen avokatët. Një kosto të rëndë të ndarjes së prindërve gjithsesi e mbartin fëmijët që do të ndiejnë mungesën e pazëvendësueshme të njërit prej prindërve.. Sipas avokatëve, të cilët asistojnë në procese të tilla gjyqësore civile shprehen të trishtuar se e kanë të vështirë të bëjnë një ndarje të fëmijëve ose importim nga njëri prind te tjetri. Kemi parë shumë skena të trishta. Më e keqja është kur familja ka pasur 2 ose më shumë fëmijë. Duhet të ndahen fëmijët për së gjalli nga njëri-tjetri, ka vijuar  avokati Zenun Hajdarmataj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›