E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëshortja e kryeministrit nis tur bamirësie në Korçë

Bashkëshortja e kryeministrit të vendit, znj. Liri Berisha ka nisur një tur bamirësie në qarkun juglindor. E shoqëruar nga vajza Argita Berisha mjekja e njohur ka startuar aktivitetin e saj në Shtëpinë e Fëmijës në qytetin e Korçës, për tiu shpërndarë dhurata 15 vogëlushëve të kësaj qendre, të cilët i përkasin moshës nga 0-4 vjeç. Znj. Berisha është presidente e fondacionit Fëmijët Shqiptarë, ndërsa bashkë me një grup vullnetarësh kanë zgjedhur këtë qytet për të shpërndarë ndihma për fëmijët por dhe disa shtresa të tjera në nevojë. Gjatë takimit në Shtëpinë e fëmijëve bashkëshortja e kryeministrit të vendit ka folur për kujdesin që shoqëria duhet të ketë për këtë shtresë më në nevojë. Këta fëmijë erdhën në jetë vërtet nga dashuria e prindërve që i lindën, por në rritje ju mungoi dashuria e tyre. Fondacioni është sot pranë tyre me një grup vullnetarësh dhe mbështetësish të cilat janë të gjitha nëna. Ne sjellim për ta siguri dhe mbështetje, dashuri dhe ngrohtësi si një kujtesë më të fortë për shoqërinë tonë, ka thënë ndër të tjera znj. Liri Berisha. Më pas znj. Berisha sërish në shoqërinë e vajzës së saj Argita Berisha dhe disa grave intelektuale nga kryeqyteti kanë organizuar një drekë me persona të moshës së tretë, për të mos lënë në harresë edhe këtë shtresë siç ka pohuar Liri Berisha për të mos harruar vlerësimin për mundin, sakrificat, urtësinë dhe mençurinë që ofron kjo moshë. Fondacioni që ajo drejton në bashkëpunim me spitalin amerikan ka mundësuar realizimin e një kontrolli të përgjithshëm mjekësor për këta individë si dhe dy operacione gratis në muaj për sëmundjet në sy. Qendra rezidenciale e zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar ka qënë ndalesa tjetër e znj. Berisha ku një sasi e konsiderueshme ndihmash në ushqime, por dhe detergjentë si dhe veshmbathje janë ndarë për këtë persona. Gjatë ditës së shtunë aktiviteti bamirës do të vazhdojë me një tjetër axhendë të numrit një të fondacionit Fëmijët Shqiptarë që zhvillon aktivitete me këto përmasa publike për herë të parë në qytetin e Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›