E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, operacioni Pastiçieri vë në pranga 3 trafikantë droge

Policia e Durrësit ka asgjësuar një grup të shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar Pastiçieri, i drejtuar nga efektivat e antidrogës, ka bërë që të përfundojnë në prangat e policisë tre persona që akuzohen për trafik droge. Sipas policisë tre shtetasit, të njohur si një grup trafiku të lëndëve të forta narkotike, mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh. Ata janë Taulant Harizaj, 26 vjeç nga Kavaja, Ismail Jakupi, 24 vjeç si dhe Saimir Zotka,19 vjeç, këta të fundit me banim në Durrës. Sipas policisë, të dyshuarit ranë në kurthin e operacionit të koduar Pastiçieri që kishte si qëllim goditjen e personave dhe grupeve kriminale në fushën e prodhimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burime zyrtarë të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se arrestimi i shtetasve erdhi si rezultat  i punës së bërë për një periudhë relativisht të gjatë në kohë dhe mbajtjes nën vëzhgim në lagje të ndryshme të qytetit. Në momentin e arrestimit, tre shtetasve iu gjet gjatë kontrollit të ushtruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, në total 75.4 gramë heroinë, pesë fishekë pistolete, një thikë, pesë aparate celulare dhe një sasi prej 300 mijë lekësh. Taulant Harizaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë lagjja nr.3 u kap në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit me 2.5 gramë heroinë, të cilën do ta tregtonte. Tani ai akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ismail Jakupi, 19- vjeçar, lindur dhe banues në lagjen nr.7 të qytetit të Durrësit, u kap në lagjen nr.12 me një sasi prej 60 gramë heroinë. Ndërsa gjatë kontrollit iu gjet një thikë dhe pesë fishekë të kalibrit 7.62 mod. 54. Vepra penale në ngarkim të tij është Prodhimi dhe shitja e narkotikeve. Por i riu përballet dhe me akuzat: Mbajtje pa leje e municioneve luftarake dhe Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta. Gjithashtu Saimir Zotka, 24 vjeçar, lindur dhe banues në lagjen nr.7 Durrës u kap në vendbanimin e tij, me 12 gramë heroinë dhe tani përballet me akuzën për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›