Vlorë, protestë për pronat, banorët e Orikumit bllokojnë hyrjen në qytet

Rreth 200 banorë të qytetit të Orikumit në rrethin e Vlorës kanë vazhduar dje protestën e tyre në përpjekje për të mbrojtur tokën e marrë nga ligji 7501. Ata kanë bllokuar urën e Izvorit në hyrje të qytetit. Ata nuk kanë lejuar të kalojnë këtu as nxënësit e shkollave dhe as ushtarakët apo punonjësit e tjerë të Pashalimanit, duke kanë kërcënuar se nëse nuk do të merren masa për kërkesat e tyre, do të fillojnë grevën e urisë dhe do të bojkotojnë zgjedhjet e qershorit.
Ata kanë kërkuar të shkojë në Orikum Kontrolli i Shtetit dhe më pas të veprohet sipas ligjeve. Ata akuzojnë drejtuesit e bashkisë dhe deputetin e zonës se po favorizojnë persona anonimë dhe po u japin leje ndërtimi atyre që nuk kanë asnjë të drejtë mbi këto toka. Protesta ka nisur në orën 7:30 të mëngjesit të djeshëm, kur banorët e qytetit bregdetar, ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, me parulla të shumta në duar kanë dalë në urën hyrëse të qytetit, në atë të lumit Izvor dhe nuk kanë lënë të kalojë në këtë urë asnjë makinë. Në parullat e mbajtura nga protestuesit lexoheshin thirrje të tilla si toka sipas ligjit 7501 ose pronarëve të vjetër, duam drejtësi etj., ndërkohë që vetë banorët kanë qenë shumë të irrituar me atë që po ndodhte me tokat e ish-fermës NB Rinia, ku ata të gjithë kanë qenë punëtorë. Banorët tregojnë se e kanë marrë këtë tokë sipas ligjit 7501 dhe teksa presin të marrin certifikatat e pronësisë siç ua kishin premtuar të gjithë të zgjedhurit vendorë dhe qendrorë në çdo zgjedhje që janë zhvilluar këtu, çuditërisht këtë tokë ua kanë dhënë disa personave të lidhur me pushtetarë të ndryshëm për të ndërtuar pallate banimi dhe ata nuk janë trajtuar si palë. Kam ardhur këtu nga Dibra kur isha vetëm 17 vjeç dhe kam qenë nga të parët në këtë fermë ku kam tharë kënetën dhe hapur këto toka që duan të na i marrin sot. Është krejtësisht e padrejtë sepse kështu mua më bie të mos kem asnjë pronë teksa atë të vendlindjes e kam lënë përpara 50 vjetësh, tregon Sabrije. K. Ndërkohë, një tjetër banor, Sulo. B., tregon se ka ardhur këtu gjithashtu nga të parët, sepse ndërkohë kur kishte ardhur nga Çamëria ishte strehuar në Radhimë. Edhe ai ka marrë pjesë në tharjen e kënetës dhe tregon se atëherë askush nuk ishte pronarë i këtyre kënetave, ndërkohë që vetë dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tij kanë punuar në këtë fermë për dhjetëra vite. Ose të më sigurojnë këtë tokë, ose të më çojnë në tokën time në Çamëri, shprehet ai duke siguruar se do të jetë nga të parët në grevën e urisë. Banorë të shumtë kërkojnë gjithashtu të shprehen për problemin dhe theksojnë se nëse nuk marrin përgjigje pozitive për kërkesën e tyre, do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën për në qytet, ku nuk do të lënë asnjë punonjës bashkie të futet në godinën e saj dhe do të bojkotojnë zgjedhjet, duke paralajmëruar më parë të gjitha organizatat vendase dhe të huaja, së pari OSBE. Për kërkesat e tyre, banorët e Orikumit kanë vënë në dijeni edhe kryeministrin Sali Berisha.