E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: PD synon të hedh baltë mbi Edi Ramën

Pas deklaratës për depozitimin e kërkesës ka reaguar menjëherë Bashkia e Tiranës. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, e konsideroi kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për hetim të lejeve të ndërtimit të dhënë nga Bashkia e Tiranës, në vitet 2007 e në vazhdim, si synim për të hedhur baltë mbi njeriun që solli modelin e suksesit të Bashkisë së Tiranës. Sipas nënkryetarit të saj, Eduard Shalsi, kjo është një tjetër përpjekje e mjeruar për të mbytur me baltë njeriun që nuk e mundin dot me ide dhe argumente. Siç e kanë zakon përpara humbjeve të bujshme elektorale, tregtarët e shpifjeve nxorën në pazarin e pistë të politikës së vjetër, tezgën e komisionit hetimor, theksoi ai, duke shtuar se qëllimi është të mbytet me baltë edhe modeli i suksesit të bashkisë së kryeqytetit. Ndër të tjera ai ka sqaruar se edhe këtë radhë, iniciativa e tyre pritet si gjithmonë me keqardhje për mjerimin e tyre moral dhe politik. Shalsi është shprehur i bindur se më 28 qershor do të marrë fund politika e ulët e Sali Berishës, bashkë me karrierën e komunistit primitiv. I presim me keqardhje për mjerimin e tyre moral dhe politik, se jemi të bindur se pas 28 qershorit kjo farsë do të marrë fund, theksoi Shalsi. Grupi parlamentar i PD-së depozitoi dje në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës në periudhën 2007 e në vazhdim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›