E Diel, 1 Nëntor 2026

Durres parandalimi i permbytjeve. 110 mln leke per kanalin

Banorët e lagjes 13 në plazhin e Durrësit shpresojnë të mos rikthehen më përmbytjet e muajit nëntor dhe dhjetor në shtëpitë e tyre. Pas miratimit të një fondi emergjence nga këshilli bashkiak me vlerë 110 milion lekë, në këtë zonë ka nisur investimi për hapjen e një kanali dhe pastrimin e atij ekzistues.

Investimi është duke u kryer nga dy firma,pas një tenderi që u realizua me prokurim të drejtpërdrejtë. "Qëllimi që ka pasur ky projekt për të zgjidhur problemet emergjente, ujërat që flejnë në pjesën e sipërme, mendoj se e zgjidh. Në prespektivë ky kanal mund të kalojë dhe në destinacione të tjera për ujëra të zeza, sipas destinacionit që do i japë bashkia për zgjidhjen përfundimtare të cështjes së kufirit të ujërave", u shpreh Bashkim Lame, Inxhinier i firmes zbatuese.

Në pjesën tjetër të zonës së plazhit, në drejtim të urës së Dajlanit, kanali ekzistues i hapur është në fund të punimeve për pastrimin e  tij nga mbeturinat. Ky kanal kishte më shumë se 10 vjet që nuk ishte pastruar, por ndërtimet e shumta sipër tij kanë krijuar mjaft probleme. Me pastrimin e kanalit të hapur mbyllet faza e parë e investimit,ndërsa faza e dytë parashikon rehabilitimin e tij dhe ndërtimin e urave të reja sipër tij.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›