Durrës, “pasagjeri” plagos dhe i rrëmben makinën 21-vjeçarit
DURRES - Një vjedhje veture me dhunë, e shoqëruar me një plagosje të rëndë, vë në alarm seksionin e krimeve ndaj pronës. Vetëm 24 orë pas ngjarjes është arritur identifikimi dhe më pas arrestimi i grabitësit. Sipas policisë ai është Andi Dalipaj, 20 vjeç, banor i lagjes 18 të Durrësit. Dyshohet se dy ditë më parë Dalipaj i ka kërkuar shtetasit me inicialet Z.P. 21 vjeç, ta çojë me “Benz”-in e tij në Shkozet. Shoferi, i cili ndonëse nuk kishte njohje me agresorin, tregohet i njerëzishëm duke e hipur 20-vjeçarin në automjet. Por pa bërë as 10 minuta udhëtim në vendin e njohur “Ura e Dajlanit”, ndërsa ora shënonte 18:00, Dalipaj nxjerr nga xhepi thikën, duke e goditur shumë herë në pjesën e barkut shtetasin Z.P. Pas krimit “pasagjeri” hedh në rrugë shoferin, duke e ngarë makinën në drejtim të paditur. Pas përdorimit të metodave të sofistikuara policore u arrit identifikimi i grabitësit, arrestimi i tij, bllokimi i automjetit “Benz” me targë DR 5732 E, pronë e babait të të dëmtuarit, si dhe sekuestrimi i thikës së krimit. Aktualisht i dëmtuari ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore. Për policinë vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për ndalimin e të dyshuarit për kryerjen e vjedhjes me dhunë. o.u