Nimiç: “Është momenti për të gjetur zgjidhje për emrin”
“Diskutimet ishin konstruktive dhe serioze. Biseduam për disa mundësi për zgjidhjen e çështjes së emrit në procesin ekzistues”. Kështu është shprehur ndërmjetësi Methju Nimiç, pas takimit që zhvilloi dje me presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski.
Nimiç theksoi se në takimet me presidentin dhe kryeministrin e Maqedonisë ka dëgjuar qëndrimin e tyre të harmonizuar lidhur me çështjen e emrit. Në pyetjen e gazetarëve se a është emri “Maqedonia Veriore” në disa variante, propozimi që është diskutuar, Nimiç nuk dha përgjigje konkrete. “Nuk është fshehtësi se po kërkojmë formulim që do t’i kënaqë të dyja palët në negociata. Ky emër është përmendur edhe në shtyp gjatë këtyre ditëve. Nuk do ta përgënjeshtroj as vërtetoj”,- tha Nimiç i cili refuzoi të fliste për një emër konkret. Ai shtoi se nuk ka një afat të caktuar për zgjidhjen e emrit, por kjo periudhë është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet të lihet shansi për progres.
I dërguari i OKB-së, theksoi se negociatat me kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe presidentin, Branko Cërvenkovski u fokusuan vetëm në çështjen e emrit.
22 Gusht 2008