Shpresa Zeraliu - Nga shkolla e murgeshave,te stilimet e VIP-ave
Ani Jaupaj
‘Do qep një fustan të mirë, model Vaçe’. Mjaftoi të shfaqej një herë të vetme Vaçe Zela në skenën e këngës me një gonxhe në fustan, për ta kthyer, menjëherë më pas në tendencë të kohës. Dukej prurje e re, ai model nuk ishte parë ndonjëherë më parë. Po kush e dinte në fakt se ku e kishte zanafillën modeli. Sajesa e rregullim detajesh bëheshin pa fund me qenë që materialet e para nuk ishin me bollëk, po ndonjëherë, për të thyer pak ngjyrat e errëta, fantazoheshin edhe lule e trëndafila që të realizohej ai që u quajt “modeli Vaçe”. Në fakt, pas kuintave, Vaçe Zela bashkë me Shpresa Zeraliun, realizuesen e të gjitha veshjeve të festivaleve, po jepnin e po merrnin se si ta bënin fustanin ngjyrë blu me jakë të mos dukej aq i errët. “është ngjyrë shumë e mbyllur, më tregon të madhe në moshë”. Edhe Shpresa e kishte gati reagimin me lulen e modifikuar. Kaq duhej që më shumë se kënga të spikaste modeli i fustanit.
Të tilla reagime, pakënaqësira a dëshirë për të patur një pamje sa më të mirë, artistët kishin plot. Vetëm se, nuk ishte aq e thjeshtë që t’ua përmbushje. Copat në dispozicion nuk ishin të shumta, duheshin rrugëtime të tëra që të gjendej lënda e parë e fustaneve. Në paskuintat e Teatrit të Operas e Baletit apo të festivaleve, jeta nuk ishte shumë e thjeshtë. Të paktën jo për atë që duhet të plotësonte tekat e të gjithëve. Por që vazhdon edhe sot, kur copat, ngjyrat e modelet nuk mungojnë ama tekat janë shtuar, do të thotë që një sekret Shpresa me siguri e ka patur. Edhe pse vitet nuk janë më ato të mëparshmet dhe e re nuk është më, vazhdon ta gjejë gjuhën paskuintave.
Sapo ka përfunduar spektakli ‘Dancing with the stars’, atelieja nuk është e zhurmshme nga nxitimi i punëve, si ia dilni edhe sot, t’i vini pas qejfit veshjeve të artisteve të reja?
Jam mësuar që të tregoj durim në këtë punë, dëshira për ndryshime të vogla, teka, kanë të gjithë. Duhet pak bashkëpunim reciprok që në fund puna të dalë mirë. Dikur artistët kishin të drejtë se ne nuk kishim shumë gjëra në dispozicion për t’i kënaqur, duhet të sajoheshin me ato që mundeshim. Tani nuk mungon gjë por janë aq të shumta mundësitë e punimit dhe të ideve sa do ketë gjithsesi pretendime, teka, sugjerime.
Po me sa duket nuk duhet të ketë shumë Vera Grabocka përderisa keni vijuar të punoni për kaq shumë vite...
Me Verën kam punuar qysh kur ishte regjisore e festivaleve vite të shkuara e deri sot. Ishte prej saj që u riktheva të punoj, në ’92-shin, me spektaklet e para, Miss-et. Prej atëherë, kemi vijuar bashkë deri në spektaklin e pak javëve më parë.
Me rikthimin në ’92-shin gjërat nuk ishin më si më parë, çfarë kishte ndryshuar, si u përshtatët?
Kapërcimi ishte bërë, ndryshimi i madh gjithashtu, por në fushën tonë nuk kishin mbërritur ende risitë, ishte ende vështirë. Ato vite të para nuk kanë qenë të lehta edhe për shkak të mungesës së përgjithshme të stabilitetit, madje në ato vite të para u bë më e vështirë.
Si keni nisur të merreni me stilimin e veshjeve?
Ka nisur si një pasion i imi, i ushqyer prej shijes për gjërat e bukura, ngjyrat modelet. Së pari punoja privatisht, në shtëpi, natyrisht që një punë amatore deri sa i hyra një mësimi më të profesionalizuar me murgeshat, që kanë pas ardhur dikur në Tiranë. Aty kam marë bazat e para, çka kanë qenë ndihmë e domosdoshme e prej andej shkova në Teatrin e Operas.
Nga punët amatore te artistët...si ishte kontakti i parë?
Të punoja atje ishte ajo çka kisha dashur gjithë jetën. Kisha qenë qysh më parë e lidhur me artin, më pëlqente, të shkoja ta prekja nga afër natyrisht që të jepte kënaqësi. Përveç kësaj, pata fatin që në fillim punova me piktor shumë të mirë, Hysen Devollin, Taulant Pustinën, Ali Osekun, Gjergj Markun... patëm realizuar atëherë baletin Gjergj Elez Alia, ishte një nga realizimet më të bukura me kostume.
Rezultoni e vetmja femër mes tyre, ishte i vështirë komunikimi?
Kishim gjetur gjuhën e përbashkët, mirëkuptoheshim. Piktorët bënin skica, i diskutonim bashkë, shkëmbenim mendime. Kur shkon mirë kjo fazë e parë, nuk ka pse të ketë mosmarrëveshje.
Nga Operat me Nina Mulën e festivalet me Vaçe Zelën te veshjet e Genta Ismailit e Soni Malaj është ndryshim i madh...
Ju habiteni se ju dukem e moshuar, po jam përpjekur të jem koherente, të ndjek gjithnjë në televizion veshje a sfilita të reja, të shfletoj revista.
Ruani ende marrëdhënie me artistët e dikurshëm për të kujtuar modifikimet me lulet e bardha?
Flas në telefon sa herë sidomos me Vaçen sa herë, por përpiqem të flas pak shkurt, e shoh që nuk është fort mirë.