E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, përleshen me maskat në banesë, plagosen 3 pjesëtarët e familjes

/>Maskat janë shfaqur dhunshëm në Rrashbull të Durrësit ku kanë tentuar grabitjen e një shtëpie. Mesnatën e së enjtes, në fshatin Rrashbull të Durrësit dy persona të maskuar janë futur në shtëpinë e Zenel Beberit me qëllim për ta vjedhur, por kanë përfunduar duke u përleshur me pjesëtarët e familjes. Burime të drejtorisë së policisë së qarkut kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur mesnatën e së enjtes, duke gdhirë e premtja, në banesën e shtetasit Zenel Berberi. Sipas dëshmisë së tij në policinë e Durrësit, rreth orës 23:50, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e tij për të grabitur sende me vlerë dhe lekë, por janë diktuar nga familjarët. E para që ka dhënë alarmin ka qenë e zonja e shtëpisë, që ka thirrur fort duke ngritur nga gjumi të gjithë pjesëtarët e familjes. Në kohën që familjarët janë ngritur nga gjumi, ata janë përleshur për disa minuta me grabitësit, të cilët në ikje e sipër kanë qëlluar banorët e shtëpisë me mjete të forta. Si rezultat i kësaj ngjarjeje janë dëmtuar shtetasi Zenel Berberi, 62 vjeç, bashkëshortja e tij, Ikbale Berberi, 58 vjeçe dhe vajza e tyre A. Berberi, 25 vjeçe. Pas njoftimit të policisë për ngjarjen, tre personat e dëmtuar janë dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal të Durrësit, ndërkohë që ata e kanë kaluar rrezikun për jetën. Policia është duke kryer veprime për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Forca të shumta policie gjenden në fshatin Rrashbull dhe përreth tij, në përpjekje për të identifikuar dhe arrestuar dy autorët e aktit të dhunshëm që besohet të kenë pasur jashtë banesës edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë. Ndërkohë, policia ende nuk është e qartë nëse dy personat e maskuar kanë arritur të vjedhin shumën e parave që synonin të grabisnin në banesën e familjes Berberi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›