Durrës, përurohet qendra komunitare Sot për të ardhmen

Kyebashkiaku Dako dhe ambasadorja gjermane, Holtkemper
Mark Brunga
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, kanë përuruar godinën e re të qendrës komunitare Sot për të ardhmen në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Kjo qendër, e cila financohet nga institucionet gjermane dhe mbështetet nga Bashkia e Durrësit, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për sa i përket integrimit të komunitetit të ish-Kënetës në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të Durrësit.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe ambasadori i UNICEF-it për Shqipërinë, Detlef Palm; zv/ministrja e Arsimit; Nora Malaj, përfaqësuesja e EED-Gjermani, Ilonka Boltze; personalitete të fushave të ndryshme dhe shumë banorë të zonës. Në fjalën e tyre, drejtuesit e kësaj qendre si dhe ambasadorja gjermane Holtkemper kanë falënderuar në mënyrë të veçantë Bashkinë e Durrësit dhe kryebashkiakun Vangjush Dako për përkrahjen e madhe që jep në lidhje me projektet në fushën sociale si dhe në ndihmesën ndaj shtresave në nevojë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se ndihma ndaj shtresave në nevojë ka qenë gjithnjë një prioritet i Bashkisë së Durrësit. Më tej, kryebashkiaku Dako shtoi se vitin e ardhshëm, Bashkia e Durrësit do të përmirësojë edhe infrastrukturën rrugore në zonën pranë qendrës komunitare Sot për të ardhmen. Në radhë të parë falënderoj qeverinë gjermane dhe Ambasadën Gjermane në Tiranë, që i kanë dhënë një mbështetje financiare kësaj qendre komunitare, e cila ndihmon komunitetin e zonës së ish-Kënetës.
Edhe ne si bashki e kemi mbështetur këtë qendër, pasi ajo jep një ndihmesë të madhe për sa u përket banorëve të kësaj zone. Por, Bashkia e Durrësit ka mbështetur fuqimisht dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo projekt në fushën sociale që ndihmon shtresat në nevojë. Madje mund tju premtoj se vitin e ardhshëm ne do të sistemojmë dhe do të shtrojmë rrugën pranë kësaj qendre, në mënyrë që ti shkojmë akoma më shumë në ndihmë komunitetit të kësaj zone.
Po kështu do të rishikojmë madje edhe emrat e rrugëve këtu pranë, pasi qeveria gjermane investon në dy projekte të rëndësishme në këtë zonë, ndaj do të ishte me vend që edhe emrat e rrugëve të kenë lidhje me Gjermaninë në shenjë falënderimi për ndihmesën që po jep ky shtet në këtë zonë të Durrësit, tha Dako. Pas përurimit godinës së re të kësaj qendre, të pranishmit vizituan ekspozitën me piktura dhe punime të tjera artizanale, që janë përgatitur nga fëmijët dhe gratë e kësaj qendre komunitare.
Qendra komunitare Sot për të ardhmen, program i shoqatës Në Dobi të Gruas Shqiptare ka bërë një punë shumëvjeçare në dobi të komunitetit të zonës së ish-Kënetës së Durrësit. Këto 14 vite të një pune intensive, konkretizohen dhe arrijnë një nivel më të lartë me ndërtimin e godinës së re, financuar nga EED-Gjermani, me qëllimin e mirë për t’u dhënë 60 000 banorëve të ish-Kënetës së Durrësit, jo vetëm një ambient publik komunitar bashkëkohor, por edhe një qendër ku gjejnë vetveten dhe janë të mirëpritur e të mbështetur çdo ditë.
Fokusi i ndërhyrjes është integrimi i komunitetit të zonës së ish-Kënetës në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të Durrësit, dhe përtej këtij, të qenit zë dhe mediator i komunitetit për institucionet dhe qeverisjen lokale, mbi të drejtat dhe nevojat e komunitetit. Programi synon mobilizimin e komunitetit, nxitjen e vullnetarizmit dhe rrjetëzimin e grupeve dhe nismave komunitare.
Qendra ofron një sërë shërbimesh për të rinjtë, fëmijët, gratë, të moshuarit, minoritetet rome dhe egjiptiane, kurse profesionale dhe ndërmjetësim punësimi, ndërgjegjësim dhe sensibilizim për të drejtat e njeriut, aktivitete sociale integruese, kurse kundër analfabetizmit, seminare dhe trajnime për çështje të ndryshme, edukative, të shëndetit, aksione dhe ndërgjegjësim për mbrojtjen e mjedisit, legalizimin e ndërtesave informale, përmirësimin e shërbimeve publike lokale, si dhe mbi nevojat dhe përfitimet e vullnetarizmit në komunitet.