Durrës, plagosi me thikë të moshuarin, prangoset i sëmuri mendor
Një 40- vjeçar, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor është arrestuar nga efektivat e policisë së Komisariatit të Durrësit, pasi kishte plagosur një banor të lagjes së tij. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, arrestimi i shtetasit Muhamet Kokomani është bërë pikërisht në banesën e këtij të fundit në lagjen numër 18 Durrës.
Sipas të njëjtave burime, pas një grindjeje për motive të dobëta, Kokomani ka goditur me thikë një shtetas, duke e plagosur atë por megjithëse ka tentuar të largohet, ai është kapur nga policia vetëm 20 minuta pas ngjarjes. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur se Mehmet Hoxha, 63 vjeç, është goditur e thikë nga 40- vjeçari Muhamet Kokomani. Autori i krimit, i cili njihej si person me probleme mendore është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë pa ndjenja të plagosurin. Ndërsa i dëmtuari është dërguar menjëherë për në spitalin e Durrësit, nga ku dhe po kurohet për plagën e marrë në pjesën barkut. Burime nga spitali i Durrësit bënë me dije se 63- vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për të stabilizuar gjendjen e tij është dashur ndërhyrja kirurgjikale. Sipas mjekëve, i moshuari kishte marrë një plagë të thellë në afërsi të veshkave, por pa rrezik, pasi thika nuk i kishte prekur organet jetësore. Aktualisht, i moshuari ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit nën kujdesin e mjekëve. Nisur nga dëshmia e të arrestuarit si dhe personit të plagosur, forcat e rendit kanë arritur të përcaktojnë edhe shkaqet e ngjarjes së ndodhur vetëm në orët e para të mesditës së djeshme. Sipas efektivave të policisë, 63- vjeçari po ecte në anë të trotuarit ku është përplasur me 40- vjeçarin agresor. 63- vjeçari është përplasur pa dashje me Kokomanin, madje i ka kërkuar dhe falje agresorit. Por, i sëmuri mendor ka reaguar në mënyrën më të keqe të mundshme, duke e qëlluar me thikë, armë të cilën në ato momente ai e mbante me vete. Menjëherë pas ngjarjes agresori është larguar, duke e lënë të gjakosur në tokë viktimën. Sipas policisë, në momentin e arrestimit 40- vjeçari nuk ka bërë rezistencë, duke u dorëzuar. Po të njëjtat burime saktësuan se autori i krimit vuante nga probleme mendore dhe për këtë ai kurohej vazhdimisht. Në momentin e arrestimit, efektivat e policisë kanë sekuestruar edhe armën me të cilën është kryer krimi, në cilësinë e provës materiale. Ndërsa 40- vjeçari i sëmurë mendor është shoqëruar për në komisariatin e policisë, ku ka dhënë dëshminë e tij dhe ka kaluar në gjendje arresti.
Email This Klikime: 9
Email This Klikime: 9