E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, policia raporton rritje të kriminalitetit gjatë 2008-ës

Rriten krimet, ulet zbulueshmëria e tyre në Durrës. Ndërsa një vit më parë ka pasur më pak krime dhe zbulueshmëria ishte në masën 87,4 për qind, viti 2008 ka sjellë një rritje të veprave penale në Qarkun e Durrësit, ndërsa zbulueshmëria e tyre e raportuar është 85 për qind. Ditën e djeshme, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka bërë analizën vjetore në prani të zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit për hetimin e krimeve, Agron Kuliçi. Gjatë këtij viti, në territorin e Qarkut të Durrësit janë evidentuar 1343 vepra penale dhe janë zbuluar 1146 prej tyre, ndërsa janë arrestuar një pjesë e autorëve nga vendi i ngjarjes dhe janë larguar e shpallur në kërkim 108 persona. Ndërkaq, një vit më parë Drejtoria e Policisë pati raportuar 961 vepra penale. Rritja e krimeve në qark duket se ka ndikuar dhe në punën për zbulimin e ngjarjeve të vjetra. Ndërsa në 2007-ën rifilluan hetimet për 145 dosje të pezulluara hetimore, këtë vit kanë rinisur për 29 dosje të tjera, kryesisht për vepra penale kundër pronës, për trafikim të mjeteve motorike dhe 3 për krime kundër personit. Në kërkim ndërkombëtar nga ky qark për krime të ndryshme janë 59 persona, ndërsa gjithsej në kërkim janë 365 veta. Vitet e fundit është vënë vazhdimisht theksi në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra, realizimi i të cilave forcon rolin e policisë në opinionin publik dhe krijon besim më të madh te qytetarët, po për këtë theksohet se është i nevojshëm një bashkëpunim më i ngushtë me prokurorinë dhe gjykatën për të siguruar prova dhe dënime maksimale për autorët e veprave penale. Ndërkohë, gjatë këtij viti janë rritur ndjeshëm vjedhjet, numri i të cilave thuajse është dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Numri i rasteve të dhunës në familje gjithashtu ka ardhur në rritje dhe janë regjistruar 94 raste të saj. Krimi i rrugës është rikthyer, duke kërkuar më shumë vëmendje kundrejt krimit të organizuar dhe atij ekonomiko-financiar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›