Hidhet nga pallati, nuk dihet identiteti
Një vajzë e re i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin e saj. Uniformat blu nuk kanë mundur t‘i gjejnë asnjë dokument identifikimi me vete, veç një gazete me adresa biznesesh, që mendohet se i kishte marrë për të gjetur punë. Burimet zyrtare të policisë thanë se dje, rreth orës 10:00, nga salla operative e Komisariatit Nr. 2 është marrë informacioni se është hedhur nga kati i pestë i një pallati në rrugën "Abdyl Frashëri" një shtetase e moshës 20-25 vjeçe. Ajo është dërguar menjëherë në urgjencën e Spitalit Ushtarak për t‘i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore, por gjithsesi, rreth orës 14:30 ajo ka gjetur vdekjen. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë, si dhe grupi hetimor, i cili aktualisht po vazhdon punën për të zbardhur rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka kërkuar bashkëpunimin e medias dhe të qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e kësaj shtetaseje. Për këtë qëllim janë bërë publike disa nga karakteristikat e saj. Sipas policisë, ajo është rreth 160 cm, flokët e zeza dhe të gjata. Gjithashtu mbante veshur xhinse blu, atlete të zeza, triko të zezë, një shall jeshil, xhup të zi dhe çantë të zezë. Për çdo informacion që mund të shërbejë për identifikimin e kësaj shtetaseje, qytetarët mund të telefonojnë në numrin publik pa pagesë 129, ose të marrin kontakt të drejtpërdrejtë me shërbimet e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.