Reshjet e shiut dhe të dëborës dëmtojnë rrugët rurale
Që prej dy ditësh, në rajonin e Kukësit vazhdojnë reshje të dendura shiu. Sipas Shërbimit Sinoptik të Forcave Ajrore, deri në mbrëmjen e djeshme kanë rënë rreth 65 mm shi, kryesisht në zonat e mesme, ndërsa në lartësinë mbi 1000 metra vazhdojnë reshjet e dëborës. Reshje dëbore ka në komunat Shishtavec, Grykë Çajë, Arrën etj., si dhe në Qafëshllak dhe në Qafë të Malit, ku arrin në 10 cm. Për shkak të shiut, dje pasdite ka pasur rrëshqitje të dheut në aksin nacional të rrugës Kukës-Shishtavec-Dragash në afërsi të fshatit Shtrezë. Dje paradite nga Shishtaveci kanë lëvizur një numër mjetesh në drejtim të Kukësit, por pasdite ato e kanë pasur tepër të vështirë të kthehen në Shishtavec. Drejtori i Rrugëve, Rushit Gashi, tha për gazetën "Shqip" se kishte dërguar një fadromë në vendin e shembur, një segment që, siç tha ai, është problematik edhe në kohë të mirë. Nga disa banorë të kontaktuar me telefon mësohet se një traktor ka ndihmuar të depërtojnë për më tej, pra të vazhdojnë rrugën rreth 20 automjete që i kishte zënë darka në Shtrezë. Bllokimi i kësaj rruge krijon boshllëqe edhe në tregun e Kukësit, dhe pjesërisht në atë të Prizrenit, pasi Shishtaveci është furnizuesi kryesor me patate. Situatë e njëjtë paraqitet edhe në disa komuna të tjera, si në Grykë Çajë, Zapod dhe Arrën. Në këtë të fundit, që nga 30 shtatori kur ranë reshjet e para, ende nuk ka shkulur asnjë automjet. Zona ndodhet në një mjedis tepër të veçuar mes malesh, rreth 60 km larg Kukësit dhe dekadën e fundit popullsia pothuajse e ka braktisur zonën. Sot gjithsej mund të bëhen diku te 300 apo 400 banorë. Burime të komunës thonë se fshatarët i kanë marrë masat për dimrin që atje zgjat plot 7 muaj. Reshjet kanë sjellë probleme edhe për kompanitë ndërtuese të autostradës, ku aktualisht është vështirësuar puna, kryesisht për urat e segmentit Kalimash-Morin. Duke qenë se kompanitë nuk kanë marrë asnjë masë për të ruajtur në gjendje të mirë rrugën e vjetër, sa herë që bien shira, ajo bëhet pothuajse e pakalueshme. Akset kombëtare të rrugëve të qarkut, që takohen në Qafë të Malit, si ajo Kukës-Tiranë apo Bajram Curri-Tiranë, janë mbajtur të kalueshme, ndonëse ka rënë rreth 20 cm borë. Në mënyrë të veçantë aksi i Kukësit, që është edhe më i shkelur, vazhdon të funksionojë dhe deri në orët e darkës nuk e ka mbajtur borën. Por ekspertët paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve të shmangin udhëtimin në orët e natës, pasi koha mund të ftohet deri në minus 10 gradë Celsius, duke krijuar akull të fortë. Dy fadroma të entit të rrugëve, si dhe dy kamionë të ngarkuar me skorie, ndodhen në gatishmëri për të shmangur çdo të papritur në këto segmente të vështira. Dje pasdite, vetëm ndërrimi i dy trajlerëve me një numër autobusësh në afërsi të Qafës së Malit u ka kushtuar jo më pak se dy orë vonesë shoferëve, pasi rruga gati në të gjithë gjatësinë është njëkalimshe.