E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga noterit, falsifikoi dokumentet e pronësisë

ELBASAN - Falsifikimi i dokumenteve të pronësisë së një banese, ka çuar në pranga një noter.

Burime të policisë bënë të ditur arrestimin e noterit Selim Beqiri, 57 vjeç, nga Elbasani. Sipas burimeve mësohet se, më datë 22.12.2007 noteri 57-vjeçar ka kryer falsifikimin e disa të dhënave në dokumente pronësie, me anë të të cilave synohej të bëhej i mundur përvetësimi i një banese që aktualisht është pronë e shtetasit Pelivan Hysenaj. Bëhet e ditur se, porositësja e falsifikimit ka qenë Fatbardha Bekteshi, kunata e Hysenajt. Duke vendosur në këto dokumente disa të dhëna të ndryshme nga ato që figuronin në dokumentet e ligjshme të banesës, ajo ka tentuar të bëjë pronë të saj banesën e Hysenajt. Ky shtetas posedon me dokumente të rregullta, një hyrje që ndodhet në një pallat 5 katësh në lagjen “Vullnetari”, në Elbasan. Mësohet se, prej disa kohësh ai ka lëshuar me qira këtë banesë shtetases H.H., 51 vjeçe. Pas konflikteve të shpeshta të saj me kunatën e të zotit të shtëpisë, qiraxhija ka bërë mëngjesin e djeshëm një kallëzim penal ndaj noterit Beqiri, duke zbuluar kështu tentativat e tij në bashkëpunim me Bekteshin për ndryshimin e pronësisë të banesës, ku 51-vjeçarja jetonte me qira.                                          a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›