E Diel, 1 Nëntor 2026

Fytyrë-këpucët

Petrit Vasili

Kur dëgjuam Berishën të hungëriste e kërcënonte në sallën e parlamentit shqiptar e t’i thoshte shkoqur një deputeti të PS, Taulant Balla ia thonë emrin, se do t‘ia bënte fytyrën të zezë  si këpuca, të gjithë ne menduam me të drejtë se ky është fundi i demokracisë dhe kryeministri ynë nuk kishte më asnjë grimë demokracie në sjelljen e tij. Aq më shumë menduam se Berisha ishte në fundin e tij politik, edhe sepse ky Balla akuzoi shqeto se kryeministri ynë administronte nëpërmjet të birit kazino të shumta dhe të pakontrolluara, dhe për këtë arsye ai ishte i mbërthyer nga korrupsioni. Dëgjuam edhe ca ditë më pas se po ky Balla akuzonte Berishën se ishte takuar edhe me të ndjerin baxhanakun e tij përpara se të ndodhte Gërdeci, pra ky kryeministri ynë, sipas Ballës, dinte gjithçka dhe ishte i zhytur deri në grykë edhe në ngjarjen e tmerrshme të Gërdecit.
Ka thënë e ç‘nuk ka thënë ky Balla për këtë kryeministrin tonë.
Por ky socialist i vonë i mbështetur me shumë dashamirësi në ato fillime të vështira nga ish-deputeti i PS, Ilir Zela, ose më mirë me thënë nga kryetari i parë i FRESH-it, emrin e të cilit sigurisht Balla nuk e zë më kurrë me gojë, sepse Zela nuk ka qenë dakord me shumë gjëra në PS-në e Ramës, sigurisht që brodhi shpejt në karrierën e tij brenda PS-së, sepse aftësia e tij e lindur për të kaluar me çdo mjet lumin, e më pas për të pëgërur kalin, ishte një dhunti që pak e kanë, por që kur dinë ta lozin mirë si ky Balla, kjo i nxjerr në Selamet.
I promovuar e mbështetur nga Nano, i cili e bëri pjesë të stafit të tij politik dhe më vonë e kandidoi edhe për deputet, shtyu ditë shumë të mira e komode në stafin e Nanos, duke konsumuar deri në minutën e fundit, mandatin qeverisës të siguruar nga PS-ja e udhëhequr nga Meta, që shndërroi në fitore në 2001, një  fushatë të jashtëzakonshme të ndërtuar thjesht dhe vetëm mbi arritjet e papara të qeverisjes 1999-2001, e ku performancën e të cilës askush nuk e ka arritur dot akoma edhe sot.
Po le t’i kthehemi çështjes. Pasi Nano i humbi zgjedhjet, ky Balla u mbajt edhe për ca muaj dhe me të drejtë tha lart e poshtë nëpër media e forume partiake, nëpër kafene e nëpër kulisa gjithfarësh, se ishte Rama problemi më i madh i PS-së, ishte Rama që nuk ishte socialist dhe nuk kishte asnjë lidhje me PS-në, ishte Rama që po trajtonte PS-në si Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu në mendjen edhe memorien e të gjithëve, në janë akoma të gjalla shëtitjet e tij spektakolare publike me ish-kryetarin e PS-së, konferencat e tij të shtypit dhe propozimet, promemoriet e kritikat e tij zhurmëmëdha në kongreset e forumet e PS-së, të cilat u hodhën poshtë e u zhelosën nga Rama.
Tha e ç’nuk tha ky Balla për Ramën, por deri në atë ditë që llogaritë nuk i dilnin më dhe duke bërë hesap dilte se ky Nanua nuk i duhej më e për një çast të vetëm u bë si biçim kryetar i një komisioni dhe i tha Ramës: “Ja ku më ke”. E për këtë Ballën, brenda sekondës ky Rama u bë socialist, PS-ja nuk ishte më Bashki e Tiranës dhe Rama nuk ishte problemi më i madh i PS-së etj., etj. Por halli i deputetllëkut dhe i ca interesave personale, e bënë këtë më të zellshëm edhe sa të tjerët, duke i lënë pa gojë shumë njerëz në PS, por edhe në opinionin publik, të cilët nuk po e njihnin më dot këtë tribunin anti-Ramë që ishte shndërruar në një kanarinë pro-Ramë.
E për të kënaqur këtë Ramën e madh, e për t’u futur te lista e mbyllur e deputetëve të Ramës, ky Balla i vogël vërvitet si një çilimi politik ndaj LSI dhe Metës, duke marrë një rol të ri shumë të trishtueshëm të patrulluesit të takimeve të mëdha e të shkëlqyera publike të LSI, bile edhe në Librazhd, në zonën ku është akoma deputet.
Duke shëmbëllyer me sekretarët e partisë të para viteve ’90, i gatshëm edhe për antimiting me zell provincial të patreguar, ky prodhues lajmesh imagjinare shpërndante tinëz nëpër media fantazira haluçinante të atij soji, që po mbretëron sot në PS nga kreu e gjer në fund. Ndonëse mediat ishin vetë aty marrëzia e çartur shkoi deri aty, sikur edhe njerëz si kryetari i një komune që nuk është përfaqësues i LSI, por i koalicionit të përbashkët të 18 shkurtit 2007, që gjoja paskan folur e kritikuar të indinjuar LSI-në dhe Metën.
Shkruesi i këtyre radhëve ndjen edhe pështirosje për këtë fantazi të fundit, sepse ky Balla e di fort mirë se ky kryetar komune ishte më shumë se i vetë koalicionit, i vetë atij dhe di fare mirë se sa zemërgjerë dhe luajale është treguar jo vetëm LSI, por edhe unë vetë ndaj këtij kryetari komune, por edhe ndaj këtij Ballës, por duket qartë se zotnillëku qenka absolutisht një cilësi e pamundur për këtë individ.
Sinqerisht kur Balla fliste e stigmatizonte Berishën në parlament, provoja pse jo një lloj vlerësimi opozitar, duke menduar gjithmonë pa asnjë prapamendim se ky ishte një qëndrim parimor i një të riu opozitar entuziast, ishte gjithashtu një ndjesi që ky i ri i ardhur nga larg, kishte një papajtueshmëri me atë negativitet politik të thellë që Berisha përfaqëson.
Por ky iluzion imi u shua shpejt, kur pashë shfaqjen më të turpshme që parlamenti ka përjetuar pas zgjedhjes së Berishës president, kur vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme, atë natë kur miratoi ndryshimet e Kushtetutës, duke miratuar betonimin politiko-kushtetues të Berishës me votat e socialistëve. Këtij Ballës duket qartë që i kishte bërë derman kërcënimi i Berishës se do t’ia bënte fytyrën si këpucë si dhe posedimit të disa aferave të turpshme të tij, prandaj me qetësi vota e fytyrë-këpucëve shkoi për Berishën dhe për pasojë kishte të drejtë Berisha që të shqyhej gazit me ta.
Ishte ky moral fytyrë-këpucësh që shkeli mbi sakrificat ç‘njerëzore për fitoren e referendumit të 1994, ku e majta luftoi me diktaturën e egër të Berishës, që nuk e kurseu dhunën e tmerrshme mbi socialistët, gjithashtu shkeli edhe mbi sakrificën tjetër të madhe për t’i dhënë vendit në 1998 një Kushtetutë demokratike.
E pra, vota e këtij morali të pacipë shkeli mbi sakrificën dhe vullnetin e mbi 2 milionë shqiptarësh, sakrifica e të cilëve u shit për një gjysmë ore nga Balla me shokë, e ku Berisha në mënyrë cinike u kujtoi atyre se po të jetë për ta, ai do të rrijë edhe tridhjetë vjet të tjera në pushtet. Ky është oksigjeni që donte Berisha pas Gërdecit dhe Balla me të tjerët ia dhanë me bollëk dhe jo Meta që në çdo skutë të Shqipërisë po ju shpjegon shqiptarëve se ajo të cilën ata e refuzuan në mënyrë plebishitare në 1994, e që donte të bënte Berishën mbret iu dhurua sot nga Rama, Balla & co me kushtetutën më të re të Sali Ramës.
Shqipërinë tonë sot e bëjnë vetëm ata që kanë provuar me shpatullat e tyre se mund të transformojnë realitetin dhe të luftojnë varfërinë dhe mjerimin që mundon shqiptarët e fëmijët e tyre.
Shqipërinë e bëjnë vetëm ata që nuk i shmangen ndeshjes së hapur për interesat e saj dhe jo ata që për hir të emrit në një listë të mbyllur deputetësh, shesin vendin dhe interesat e mijëra të majtëve të përzënë nga puna, të nëpërkëmbur nga Berisha, të cilit këta socialistë të qelepirit i dhanë një armaturë të tërë kushtetuese. Pa asnjë dyshim shqiptarët e dinë, e shohin dhe e ndjejnë sot më shumë se kurrë, se vetëm LSI dhe Meta janë ata që e bëjnë këtë e transformojnë Shqipërinë dhe mund ta mundin varfërinë si dhe dinë të mos e shesin kurrë vendin e tyre për interesat personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›