Durrës, pranga futbollistit për plagosje me armë
Mesfushori Qazim Buna ka qëlluar me pistoletë një person dhe më pas ka tentuar që të fshehë armën e krimit
DURRËS- Arrestohet për plagosje me pistoletë një prej futbollistëve të ekipit të Teutës së Durrësit. Mesfushori Qazim Buna është zënë me një person tjetër, me të cilin kishte njohje të vjetër, dhe në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë pistoletën duke e plagosur atë. Pas ngjarjes ai ka tentuar të fshehë pistoletën duke ia dhënë atë një mikut të tij por kjo nuk e ka shpëtuar Bunën nga arrestimi. Policia ka bllokuar mikun e tij së bashku me armën e krimit, një pistoletë tip “Zastava”. Lajmi është pohuar nga burime zyrtare të policisë së Durrësit.
Ngjarja
Sipas hetuesve, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së mërkurës. Dëshmitarët okularë i kanë pohuar policisë se ngjarja ka nisur në një lokal ku personat e konfliktuar ishin duke pirë. Ata kanë nisur që të zihen dhe më pas ngjarja ka precipituar në plagosje. Drejtoria e Policisë në Durrës ka bërë të ditur se 30- vjeçari Qazim Buna, banor i lagjes 7 në Durrës, është konfliktuar me shtetasin A. Pasha, grindje e cila ka degjeneruar me rrahje dhe më pas edhe plagosje të Pashës. Sipas burimeve policore, Qazim Buna gjatë këtij konflikti ka pasur me vete një armë zjarri pistoletë "Zastava". Për të eliminuar nga skena e plagosjes armën e zjarrit, autori i plagosjes i është drejtuar mikut të vet dhe i ka kërkuar ndihmë për ta fshehur atë. Shoku që u ka qëndruar pranë ka dashur ta ndihmojë por ka dështuar në këtë tentativë pasi ai jo vetëm nuk ka arritur që ta fshehë atë, por është vënë edhe vetë nën arrest. Sipas të dhënave të policisë, Buna ia ka dhënë pistoletën shtetasit Bejtush Bejtja. Kjo është bërë sapo ka mbërritur patrulla e policisë. Por një prej policëve ka parë këtë akt dhe menjëherë ka kërkuar që të ushtrojë kontroll fizik tek Bejtush Bejtja.
Arrestimi
Kontrolli ka treguar se ai po mbante pistoletën tip “Zastava” me të cilën ishte kryer plagosja. Hetuesit pohuan se ajo ishte ende e nxehtë nga përdorimi. Buna dhe Bejtja janë dërguar në qelitë e paraburgimit. Qazim Buna akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe plagosje e lehtë me dashje. Ai, sipas të dhënave, është kapur nga patrulla e policisë në vendin e konfliktit dhe në këtë situatë kur ai ndodhej përballë përfaqësuesve të ligjit,ka kërkuar që të fshehë armën e përdorur, e cila paraqiste për të rrethanë rënduese për më pas.
Reagimi
Arrestimi i futbollistit durrsak të skuadrës së "Teutës" për plagosjen me armë zjarri në qytet, ka indinjuar drejtuesit e Klubit të Futbollit të cilët e kanë dënuar qëndrimin e mbajtur prej tij. Presidenti i "Teuta"-s Edmond Hasanbelliu, ka deklaruar për përjashtimin përgjithmonë të mesfushorit të kësaj skuadre nga ekipi. Ai ka bërë me dije se edhe se edhe pas lirimit nga dënimi që e pret, futbollisti Qazim Buna nuk do të pranohet më si pjesëtar i ekipit të " Teutës", pasi qëndrimi i tij duke përdorur armë zjarri është një gjest antisportiv.