Vlorë, doganieri gjendet i vrarë në banesë
Policia: Dyshojmë se 53- vjeçari Patriot Hoxha ka vrarë veten me një plumb në kokë në shtëpinë e tij
VLORË- Një punonjës i doganës së Vlorës është gjetur paraditen e djeshme i vrarë në banesën e tij. Trupi i pa jetë i Patriot Hoxhës, punonjës në doganën e Vlorës prej më se 10 vitesh, është gjetur nga familjarët e tij me një plumb në kokë. Dyshimet e para të policisë janë se 53- vjeçari, babai i tre vajzave është vetëvrarë me pistoletë rreth mesditës. Mendohet që ngjarja të ketë ndodhur rreth një orë para se të gjendej trupi i pajetë. Fqinjët pohojnë se kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë menduar për ndonjë shashkë të hedhur nga fëmijët. Trupi është gjetur nga vëllai i viktimës, i cili ka lajmëruar dhe policinë për ngjarjen. Pas verifikimeve të bëra nga inspektori i zonës, pranë pallatit ku jetonte 53- vjeçari kanë mbërritur dhe ekspertë të policisë për të kryer ekzaminimet në vendngjarje. Në momentin e ekzekutimit, brenda në banesë ka qenë dhe një nga vajzat e viktimës, e cila ndodhet në gjendje të paralizuar. Ende nuk dihen rrethanat që çuan 53-vjeçarin drejt vetëflijimit. Policia ka marrë në pyetje familjarët, ndërsa po hetohet për motive të ngjarjes. Për momentin hetuesit kanë përjashtuar mundësinë e një vrasjeje pasi të dhënat tregojnë për një vetëvrasje. Kjo pritet që të zbardhet plotësisht nga hetimet e mëtejshme të ngjarjes.