Durrës, pranga shefit të bashkiakes
OERD ULQINI/ Durrës
Shefi i Policisë Bashkiake të Durrësit u arrestua dje, bashkë me katër persona të tjerë, me akuzat e korrupsionit dhe abuzimeve të rënda me detyrën përmes ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave, që kryejnë funksione publike. Rexhep Bulku, 50 vjeç, me detyre shef i Policisë Bashkiake ra në pranga, ndërsa ishte në detyrë pranë tregut të fruta-perimeve në qytetin e Durrësit. Bashkë me zyrtarin e Policisë Bashkiake, sipas burimeve zyrtare janë arrestuar edhe katër persona të tjerë: Bashkim Maloku, 37 vjeç, me detyrë polic trupe prej 2 vjetësh në Policinë Bashkiake Durrës, Lutfi Dervishi, 49 vjeç, me detyre Inspektor i Komunës Spitallë, Durrës (i zgjedhur i Partisë Socialiste), Luan Shaba, 38 vjeç, me detyrë administrator i njësisë administrative nr.4 Durrës, (i zgjedhur i Partisë Socialiste) dhe Fetah Mataj, 27 vjeç, i dënuar më parë për vepra penale kundër personit. Sipas burimeve të policisë, i arrestuari i fundit, Fetah Mataj ka qenë sekseri që bënte ndërmjetësin mes qytetarëve dhe zyrtarëve të Policisë Bashkiake, që kërkon ryshfet në këmbim të mos prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdet dhe mosmbylljes së aktiviteteve të pa licencuara që kontrollohen nga Policia Bashkiake. Zyrtarët dhe efektivat e kësaj të fundit, po kryenin dje detyrën në një vend publik pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës, kur janë arrestuar në sy të qytetarëve. Operacioni është koduar me emrin "Zbatica", ndërsa kreu i Policisë Bashkiake në momentin kur është vendosur në pranga nga Policia e Rendit ka reaguar ashpër, duke debatuar dhe kërkuar sqarime për shkaqet e ndalimit.
Korrupsioni me ndërtimet në bregdet
Policia e Durrësit ka marrë dhjetëra kallëzime nga banorë të qytetit, të cilëve u ishte kërkuar ryshfet nga zyrtarët e Policisë Bashkiake në këmbim të mosshembjes së ndërtimeve pa leje. Me anë të metodave speciale të hetimit, policia e qytetit bregdetar ka zbardhur një sërë episodesh abuzive të zyrtarëve bashkiakë. Sipas burimeve nga hetimi, pjesa më e madhe e ndërtimeve pa leje, që kanë mbetur të pa shqetësuara kundrejt shumave të ryshfetit kanë qenë ndërtime në zonën bregdetare. Të njëjtat burime thanë se të arrestuarit u bënin presion tregtarëve ambulantë për t'u mbyllur aktivitetin, pasi nuk kishin licencë. E vetmja mënyrë për të vazhduar punën, ishte dorëzimi i shumave të ryshfetit tek sekseri i zyrtarëve të Policisë Bashkiake. Ndërmjetësi mësohet se i ndante më pas paratë me të arrestuarit, duke plotësuar kështu ciklin e personave, që përfitonin paratë e që më pas lejonin vazhdimin e aktivitetit të tregtarëve ambulante dhe të pa licencuar. Mekanizmi i abuzimit, i cili është zbardhur gjatë hetimeve disa mujore të policisë së Durrësit, ka qenë i tillë: shefi i Policisë Bashkiake me vartësit e tij patrullonin në qytet, duke ushtruar kontrolle tek tregtarët ambulantë. Pasi mësonin se ata nuk kishin licencë, zyrtarët bashkiakë ua bënin të ditur këtë qytetarëve, duke u thënë se ligji parashikonte mbylljen e aktivitetit.
Skema e abuzimit
të policëve
Gjatë kontakteve me qytetarët dhe biznesmenët ambulantë, bashkiakët linin gjithsesi një mundësi zgjidhje, e cila në çdo rast ishte ryshfeti. Në këtë kohë hynte në lojë ndërmjetësi, i cili merrte kontakt me personat "në nevojë" e më pas u kërkonte atyre shumën e parave, në mënyrë që Policia Bashkiake të mos i shqetësonte. Me anë të përgjimeve telefonike dhe regjistrimeve të tjera ambientale, policia ka zbardhur faktin se ndërmjetësi që merrte paratë nga tregtarët ambulantë, i ndante ato me zyrtarët dhe efektivat e Policisë Bashkiake. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me vendimet që merrnin organet e bashkisë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Me një vendim të tillë në duar, zyrtarët e policisë bashkiake shkonin tek pronari i objektit dhe i bënin të ditur se aksioni për shembjen mund të fillonte në çdo moment. Më pas vijonin kërcënimet deri tek negociatat kur pronarët e ndërtimeve pa leje detyroheshin të paguanin ryshfet, në këmbim që Policia Bashkiake të mos u shembte përdhe pronat e tyre në bregdet dhe disa zona të tjera të Durrësit.
Të ndaluarit e "Zbatica"
1. RexheP Bulku
i vitlindjes 1959 lindur dhe banues në Durrës, lagjja nr.2, me arsim të lartë, me detyrë prej 5 vjetësh, shef i Policisë Bashkiake Durrës.
2. Bashkim Maloku
i vitlindjes 1972, lindur dhe banues në Sukth Durrës, me arsim te mesëm, me detyrë polic trupe prej 2 vjetësh në Policinë Bashkiake Durrës.
3. Lutfi Dervishi
i vitlindjes 1960 lindur dhe banues në Durrës lagjja nr.8, me detyrë Inspektor i Komunës Spitallë Durrës (i zgjedhur i P.S.).
4. Luan Shaba
i vitlindjes 1971, me arsim të lartë, me banim në lagjen nr.15 Durrës, me detyrë administrator i njësisë administrative nr.4 Durrës. (i zgjedhur i P.S.)
5. Fetah Mataj
i vitlindjes 1982 lindur në Tepelenë dhe banues në Lagjen nr.15, me arsim të lartë, i dënuar më parë për vepra penale kundër personit.
Ryshfeti 20-200 mijë lekë për objekt
TIRANE - Specialistët e Krimit Ekonomik kanë zbuluar implikimin e 4 zyrtarëve të arrestuar në Durrës, për favorizimin e ndërtimeve pa leje në qytet dhe në zonën e Spitallës. Ndërkohë, që sipas burimeve vazhdojnë verifikimet për ndërtimet pa leje në bregdet. Kreu i Policisë Bashkiake të Durrësit, Rexhep Bulku, punonjësi i kësaj policie Bashkim Maloku, kryetari i Njësisë Administrative Nr.4, Luan Shaba si dhe Lutfi Dervishi, inspektor i Komunës Spitallë, kanë përdorur sekserin Fetah Mataj, për të ndërmjetësuar në pazaret e ryshfetit. Burime nga policia bënë të ditur se vlera që katër zyrtarët merrnin për të lejuar ndërtimin e një godine pa leje në Durrës dhe në Spitallë, shkonte nga 200 mijë deri në 2 milionë lekë të vjetra, kjo në varësi të madhësisë së godinës, që do të ndërtohej. Ndërkohë, deri tani specialistët e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kanë numëruar rreth 50 objekte të ndërtuara pa leje dhe që janë favorizuar nga personat e arrestuar gjatë operacionit "Batica". e.d
Precedenti i policit bashkiak, në 2008 u arrestua për ushtrim dhune
TIRANE - Njëri nga zyrtarët e policisë Bashkiake të Durrësit, që ra dje në pranga gjatë aksionit "Zbatica", pikërisht Bashkim Maloku, ka edhe një precedent tjetër, për të cilin edhe më parë është vendosur në pranga. Bëhet fjalë për kryerje të veprimeve arbitrare dhe ushtrim dhune nga ana e tij në dëm të qytetarëve. Sipas një materiali zyrtar të Policisë së Shtetit, më 16 qershor 2008, rreth orës 23.55, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Bashkim Maloku, vitlindja 1973, lindur e banues në Katund Sukth Durrës, me arsim të mesëm, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë, punonjës i Policisë Bashkiake Durrës, Ndriçim Dervishi, vitlindja 1969, lindur e banues në Shijak Durrës, me arsim të mesëm, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë, punonjës i Policisë Bashkiake Durrës, Rexhep Bulku, vitlindja 1959, lindur e banues në lagjen Nr.2 Durrës, me arsim të lartë, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë, shef i Policisë Bashkiake Durrës dhe Denis Omeri, vitlindja 1981, lindur e banues në lagjen Nr.18 Durrës, me arsim të mesëm, me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë, punonjës i Policisë Bashkiake Durrës. Në materialin e policisë, thuhet se arrestimi i këtyre personave është bërë për veprën penale të kryerjes së veprimeve arbitrare. Atë ditë, më 16 qershor 2008, rreth orës 12.00, në segmentin rrugor Stacioni i Trenit-Ura e Dajlanit, gjatë kohës kur kryenin shërbimin në drejtim të kontrollit të automjeteve pa licenca, kanë ndaluar mjetin autobus me targa DR 0366 D me pronar shtetasin Fatmir Zakova, i cili nuk kishte me vete dokumentacionin e mjetit dhe gjatë debatit me punonjësit e Policisë Bashkiake është goditur me sende të forta dhe grushte në fytyre e trup nga këta të fundit, të cilët kanë dashur ta shoqërojnë në Polici në mënyrë arbitrare. Për pasojë shtetasi Fatmir Zakova ka pësuar dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. o.u