Reshjet, dheu mbulon shtëpitë
GRAMSH / ALDI KOZARIA
Rrëshqet masivi i dheut nga kodra, dëmtohen 10 shtëpi, rrezikohen 50 të tjera. Ndërtimet e bëra vitet e fundit në fshatin Kale të komunës Kukër të Gramshit janë në alarm serioz, pasi reshjet kanë provokuar shembjen e sasive të dheut nga lartësia mbi to. Dhjetëra familjarë janë larguar nga shtëpitë e tyre buzë kodrës, nga frika se mund të humbin jetën papritur. Banorë të fshatit dhanë dje alarmin, edhe pse prej disa ditësh kanë ndjerë rrëshqitjet nga kodra. Kreu i Komunës Kukër, Luan Kokla, pohoi dje gjatë një kontakti telefonik se janë në rrezik për t’u shembur afro 50 shtëpi banimi si dhe janë dëmtuar rreth 150 hektarë tokë bujqësore. Ai pohoi se nga rrëshqitja e dheut është dëmtuar pjesërisht godina e shkollës 9-vjeçare dhe qendra shëndetësore, e cila ndodhet në të njëjtën godinë me të. Kokla pohon se prej disa ditësh ka vënë në dijeni zyrtarët e nënprefekturës së Gramshit, por dhe ato të prefekturës së Elbasanit, por sipas tij asnjë specialist nuk ka mbërritur në vend për të parë situatën. Kjo komunë ndodhet rreth 30 km larg qendrës së Gramshit, në të njëjtën zonë ku një avion me ushtarë të huaj u përplas gjatë manovrave stërvitore. Për alarmin e dhënë nga fshati Kale reagoi dje pasdite dhe prefekti i qarkut, Shefqet Deliallisi. Ai pohoi se është kërkuar nga komuna që të bëhet evakuimi i banorëve të zonës, për të mos u rrezikuar jeta. Sipas tij, ditën e sotme bashkë me specialistë të gjeologjisë dhe drejtorin e Emergjencave Civile, Alfred Olli, do të mbërrijnë në zonë, për të inspektuar gjendjen e saj. Pasi të jepen konkluzionet që çuan në këtë rrëshqitje masive pritet të merren dhe hapa konkretë për të ndihmuar familjet në nevojë. Të dhënat mbi këtë komunë flasin se në fshatin ku ka ndodhur rrëshqitja, prej vitit 1992 nuk janë miratuar leje ndërtimi, për shkak se zona është cilësuar e rrezikshme për banorët.
Komuna, ndihmë familjeve
POGRADEC - Këshilli i Komunës Trebinjë në zonën e Mokrës në Pogradec ka vendosur të ndihmojë financiarisht tetë familjet e evakuara në fshatin Pevelan. Dje u zhvillua një mbledhje urgjente nga u vendos akordimi i një shume prej 40 mijë lekësh për secilën nga familjet e prekura nga kjo katastrofë natyrore. Deri tani janë shembur dy shtëpi, ndërsa 6 të tjera janë gati në të rënë. Burime nga fshati Pevelan kanë bërë të ditur se zona është marrë në ruajtje nga punonjësit e policisë. Ata nuk kanë lejuar të futen në zonën e rrezikshme banorët në tentativë për të tërhequr plaçka dhe orendi të ndryshme. j.gj