E Shtunë, 31 Tetor 2026

“NATO i kthen armiqtë në miq”,Kancelarja Merkel citon Berishën

 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke folur përpara Bundestagut gjerman, ka cituar një deklaratë kryeministrit Berisha në lidhje me anëtarësimin e vendeve të reja në NATO, Shqipërisë dhe Kroacisë. Merkel, sipas radio Dojçe Vele, zgjodhi një citat të Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, për të nxjerrë në pah rëndësinë historike të samitit të ardhshëm të NATO-s, më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës. “Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t’i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme, që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i Aleancës më perëndimore”, citoi Merkel nga një intervistë që Sali Berisha kishte dhënë disa ditë më parë për një gazetë gjermane. “Në këto pak fjalë bëhet i qartë dimensioni historik i samitit me rastin e 60-vjetorit të krijimit të NATO-s”, komentoi kancelarja kristdemokrate. Ndërsa vetë Kryeministri Berisha u njoh me këtë qëndrim të Merkel gjatë votimit në Parlamentit shqiptar të paketës për anëtarësimin e NATO-s. Pas leximit të letrës, kryeministri ia bëri prezent dhe zv.kryeministrit Pollo dhe Ministrit të Jashtëm, Basha. Më pas deklarata e Merkelit iu shpërnda gazetarëve që ndodheshin në lozhen e Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›