Vrasësi: Më mbroni familjen
Etleva Delia
Autori i vrasjes së dy oficerëve të policisë së Kukësit ka dëshmuar dje në polici, pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Nga të dhënat dhe provat që policia kishte për implikimin e tij në këtë ngjarje, duke e cilësuar si autorin e vetëm të ekzekutimit të Ramadan Hilës dhe Shkëlzen Dobrushit, Afrim Hasani ka pranuar autorësinë e krimit, duke mos dhënë asnjë alibi dhe duke mos iu shmangur përgjegjësisë për ngjarjen. Para se të fillonte rrëfimin e tij për shkaqet, që çuan në kryerjen e vrasjes së dyfishtë, 34-vjeçari u ka kërkuar oficerëve të policisë që të merrnin në mbrojtje familjen e tij, pasi ndjente frikën e një hakmarrje të mundshme nga ana e familjeve të policëve. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për gazetën "Panorama", se Afrim Hasani ka pranuar gjithçka lidhur me krimin, duke rrëfyer edhe konfliktin që ka pasur me Ramadan Hilën dhe Shkëlzen Dobrushin më 17 mars të këtij viti. Gjatë dëshmisë së tij ai ka treguar se motivi që e ka çuar në vrasjen e dy inspektorëve ka qenë fakti, që ata nuk kanë tërhequr denoncimin që kishin bërë ndaj tij në Prokurorinë e Kukësit. Edhe pse ka pranuar që i ka kundërshtuar, i ka fyer, madje edhe ka ushtruar dhunë ndaj tyre më 17 mars 2009, nga ana tjetër i akuzuari për vrasjen ka pranuar edhe që iu kishte kërkuar që të tërhiqnin denoncimin ndaj tij. Mosplotësimi i kësaj kërkese, ka bërë që ai t'i vrasë dy policët mbrëmjen e së hënës dhe më pas ka tentuar të "arratisej" nëpër male. I pyetur nga oficerët e policisë nëse dikush e ka ndihmuar që të largohej pas kryerjes së krimit, Hasani e ka mohuar, duke mbajtur vetë të gjitha përgjegjësitë.
DESHMIA
"Ju lutem të më merrni në mbrojtje familjen time, pasi mund të marrin gjak për atë që kam bërë dhe ata janë të pafajshëm e të pambrojtur". Kështu e ka nisur rrëfimin e tij para oficerëve të policisë Afrim Hasani, ekzekutori i dy inspektorëve të policisë mbrëmjen e së hënës, në fshatin Shëmri të Kukësit. Pas kësaj kërkese 34-vjeçarit i janë drejtuar pyetjet rreth ngjarjes, që në fakt kanë qenë të pakta, pasi ai ka pranuar menjëherë gjithçka, duke bërë që edhe procedura e marrjes në pyetje të ishte e shkurtër. "I kam vrarë sepse nuk pranuan të tërhiqnin kallëzimin që kishin bërë ndaj meje në prokurori", është shprehur Hasani. Ndërkohë ai ka treguar edhe se si ka ndodhur ngjarja e 17 marsit, për të cilën Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi e kishin denoncuar. "Kam qenë në lokal, aty ku edhe i vrava", në Shëmri. Isha duke pirë dhe në gjendje të dehur kisha thyer disa gjëra aty brenda, karrige, tavolina, gota. Pronari i lokalit më bëri thirrje disa herë që të ndaloja, aq sa u detyrua të lajmëronte policinë. Më pas aty kanë ardhur Ramadani dhe Shkëlzeni, të cilët ishin në shërbim atë natë më kërkuan që të ndaloja. Mbaj mend që i kam kundërshtuar, edhe i kam goditur", ka deklaruar Hasani. Sipas dëshmisë së tij, të nesërmen ai ka marrë vesh që dy inspektorët kishin bërë kallëzim ndaj tij dhe ai i ka takuar duke u kërkuar që ta tërhiqnin kallëzimin. "Kam pritur disa ditë që ta tërhiqnin, por mora vesh që ata nuk kishin ndërmend. Pastaj i vrava", ka deklaruar ai. Ndërkohë 34-vjeçari është pyetur për armën me të cilën ka kryer vrasjen, për të cilën ka thënë që e kishte në shtëpi prej disa vitesh, që prej kohës kur u hapën depot e armëve. Ndërkohë që nuk ka pranuar ta ketë ndihmuar njeri pas kryerjes së krimit. "Jam larguar vetë në këmbë nëpër mal dhe kam arritur të fshihem në një shtëpi të braktisur. Nuk më ka ndihmuar askush, pasi nuk kisha kërkuar ndihmë. Arrita vetë që të largohesha". Kjo ka qenë një pjesë e dëshmisë, që Afrim Hasani ka dhënë dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, gjatë marrjes në pyetje për llogari të hetimit.
Vrasësi i policëve, sot në gjykatë
TIRANE - Afrim Hasani i akuzuar se ka vrarë për shkak të detyrës dy oficerët e policisë dhe i pandehur edhe për armëmbajtje pa leje, pritet të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për caktimin e masë së sigurisë ndaj tij. Sipas burimeve të akuzës, mësohet se pas hetimeve paraprake, në zbatim të afatit ligjor, prokuroria ka bërë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 34-vjeçarit nga Kukësi. Ai pritet të shoqërohet sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë në të cilën do të qëndrojë deri në përfundim të procesit penal për akuzën e vrasjes së dy oficerëve të policisë së Kukësit. Provat e grumbulluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se janë të shumta, duke nisur që nga të dhënat e vendit të ngjarjes, dokumente policore dhe më pas edhe deklarimet e më shumë se 30 personave që kanë treguar ngjarjen. tr.so