E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, prefekti rrëzon vendimin e të djathtëve

Shfuqizohet si i paligjshëm vendimi i Këshillit Bashkiak për ndarjen e shtëpive për të pastrehët

Prefekti i Qarkut të Durrësit ka bërë dje publike hedhjen poshtë të vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak për miratimin e listës së personave që do të përfitojnë nga apartamentet që do të ndahen për familjet e pastreha në qytetin bregdetar. Në përmbushje të funksioneve të tij, prefekti Genc Alizoti ka vlerësuar se vendimi i marrë për miratimin e listës 48 emërore më 18 janar të këtij viti nuk është i mbështetur ligjërisht. Mosplotësimi i kuorumit me 3/5 e votave ka qenë argumenti i kthimit sërish në këshill të vendimit, për të cilin duhen të paktën 27 vota për t’u vlerësuar i ligjshëm, nga 25 vota të marra në mbledhjen e kaluar të KB-së. Vendimi i marrë pati ngjallur reagime të forta nga bashkia, këshilltarët e majtë të cilët nuk e votuan, por edhe nga të pastrehët që e kanë gjetur veten jashtë saj. Prefekti mohon që vendimi i tij të jetë politik dhe të cenojë marrëdhëniet LSI-PD, pasi të dyja këto forca e kanë shumicën e duhur në Këshillin Bashkiak të Durrësit, por në çastin e votimit kishte mungesa nga të dyja këto forca. Kështu, pavarësisht kësaj vendimi që pritet të rivotohet në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duket se nuk do të sjellë ndryshim të listës emërore, pasi e djathta e ka shumicën e duhur për të kaluar edhe njëherë listën e atyre që do të përfitojnë nga banesat sociale në Durrës, ku strehimi vazhdon të mbetet një nga problemet e mprehta shoqërore. Megjithatë ndërhyrja e prefektit është parë si një përpjekje për të plotësuar funksionin larg përplasjes politike që është krijuar mes pushtetit vendor dhe pushtetit qendror. Anëtarët e zgjedhur nga prefektura në KRRT-në e Bashkisë së Durrësit kanë krijuar bllokim të aktivitetit normal të saj, duke mbajtur bllokuar shqyrtimin e shumë kërkesave të qytetarëve dhe firmave për leje ndërtimi dhe sheshe. Lidhur me këtë, Alizoti shprehet se i ka mbërritur një kërkesë nga tetë anëtarët e KRRT-së që kërkojnë mbledhjen jashtë radhe të këtij këshilli për shqyrtimin e kërkesës për leje të portit të peshkimit. Kërkesa i është drejtuar kryetarit të bashkisë, që është njëkohësisht edhe kryetar i KRRT-së. Ai është shprehur kundër futjes në rend dite të shqyrtimit të kërkesës, ndërsa Alizoti thotë se do të përdorë autoritetin e tij për këtë çështje, pasi një e treta e anëtarëve mund të kërkojë dhe mbledhë KRRT-në.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›