E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryepolici Burgaj shpjegon pse duhet të thellohet policimi në komunitet

Tiranë, 4 Shkurt NOA/Përmbledhje - Ministria e
Brendshme, me mbështetjen e projektit të komunitetit Evropian në ndihmë të
Policisë-PAMECA III, organizoi sot Konferencën Kombëtare për Sigurinë në
Komunitet.

Në qendër të kësaj konference ishte forcimi i
mëtejshëm i bashkëpunimit midis organeve të pushtetit lokal, Policisë së
Shtetit dhe institucioneve të ndryshme në nivel qendror e lokal.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi synohet arritja e
zgjidhjes së problemeve në partneritet, si dhe shkëmbimi i informacionit, duke
rritur kështu sigurinë në komunitet dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të
Shqipërisë.

Në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në
Komunitet morën pjesë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Drejtori i
Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, kreu i Delegacionit të
Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan, si dhe drejtues të tjerë të
Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit,
drejtues të policisë në qarqe, drejtues të organeve të pushtetit vendor nga i
gjithë vendi, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të misioneve të
huaja që asistojnë policinë shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Hysni Burgaj, duke folur në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet u ndal
në eksperienca dhe objektivat

e policisë së shtetit për implementimin e
policimit në komunitet.

Ai veçoi se policimi në komunitet është ai
lloj policimi që përfshin komunitetin në mënyrë aktive për të zvogëluar,
parandaluar dhe zbuluar krimet.

Kjo nënkupton partneritetin në mes të
policisë dhe komunitetit në mënyrë që Policia vazhdimisht tu ofrojë qytetarëve
shërbime cilësore. Ajo gjithashtu ndihmon policinë në identifikimin dhe
zgjidhjen e problemeve që përbëjnë shqetësim për qytetarët, - vuri në dukje Burgaj.

Sipas tij, besimi tek Policia e Shtetit
rritet, kur komuniteti shikon tek ajo, përkushtim dhe përgjegjshmëri, komunikim
dhe bashkëpunim, zbatim të ligjit, profesionalizëm, paanshmëri, seriozitet dhe
transparencë në trajtimin e problemeve, por dhe bashkëpunim konkret për
aktivitete të forcimit të besimit reciprok.

Për implementimin e filozofisë dhe të
strategjisë së Policimit në komunitet, Burgaj tha se Policia e Shtetit ka
bashkëpunuar me institucione të ndryshme ndërkombëtare si; OSBE, PAMECA,
ICITAP, UNDP dhe OJF vendase (IDN, KSHH etj).

Sipas tij, synimi strategjik i Policisë së
Shtetit është krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për shoqërinë shqiptare,
nëpërmjet policimit me standardet më të larta të performancës, duke sjellë
përmirësim në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit po
punohet në vazhdimësi për kalimin nga mënyra reaktive (goditëse) e policimit tek
ajo proaktive parandaluese, - duke ndërmarrë veprime konkrete para se të
kryhen veprat penale me qëllim parandalimin e tyre, - sqaroi Burgaj.

Në përfundim, ai tha se sfida jonë në gjithë
këto përpjekje të përbashkëta është fitimi i besimit të policisë nga
komuniteti, puna jonë e përbashkët në realizimin me sukses të detyrave për
sigurimin e rendit dhe qetësisë publike dhe luftën pa kompromis kundër kriminalitetit
dhe krimit të organizuar në veçanti.

r.b/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›