E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimtarët: Licencë për lëndën, ose largohen nga puna

 
 
Nëse mësuesit nuk pajisen me licencë për lëndën që japin mësim, do të zëvendësohen me mësues të tjerë
 
 
Marsel LELA
TIRANë - Për të dhënë mësim një lëndë të caktuar, mësimdhënësit e shkollave të mesme tani duhet të jenë të pajisur me licencë, e cila vërteton aftësinë e tyre për të dhënë mësim atë lëndë. Kjo u vendos dje gjatë nënshkrimit të kontratës mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatave të Arsimit. Futja në kontratë e kësaj pike bëhet për shkak të rritjes së nivelit të mësuesve nëpër shkollat e mesme dhe kësisoj, krijimin e një niveli më të lartë mësimdhënie.
Nëse mësuesit e këtyre shkollave nuk do të pajisen me licencë për lëndën që ata japin mësim, këta të fundit do të zëvendësohen me mësues të tjerë që janë pajisur me këtë licencë.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar dje, mësimdhënësit e shkollave të mesme tani duhet të licencohen, pra të kenë marrë nëpërmjet një konkursi një licencë që të njohë aftësitë e tyre, për të dhënë mësim në një lëndë të caktuar. Kjo është një nga pikat e reja që do të kenë kontratat e reja mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatave të Arsimit.
Sipas kryetarit të Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhaferr Dobrushi, kjo është një kërkesë për të arritur standardet që kërkon koha.
Kështu, lidhur me këtë çështje, MASH-i nënshkroi një marrëveshje për disa ndryshime në kontratat kolektive në fuqi, me Federatën e Sindikatave të Arsimit të Mesëm dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit Shqiptar.
Në këtë marrëveshje u ra dakord për disa ndryshime që duhet të ndodhin në dispozitat e kontratave të reja.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kontrata e rinovuar, e cila shënon fillimin e punës së grupit të MASH-it dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë të gjitha standardet e arritura dhe të zhvillojë më tej shumë prej tyre. “Qëllimi jonë i përbashkët është që standardet e kontratës  të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e reformës së sistemit tonë arsimor në të gjitha këndvështrimet, duke filluar  nga rritja e statusit të mësuesit dhe e nivelit të kualifikimit të tyre, deri tek tërësia e masave që ndërmerr MASH-i për rritjen e kualifikimit të mësuesve në detyrë që garantojnë punësim në bazë të meritës”, u shpreh kreu i MASH-it, Myqerem Tafaj.
Të dy palët nënshkruan që procesi i negocimit për ripërtëritjen, ndryshimin, plotësimin dhe përmirësimin e Kontratës Kolektive të Punës të fillojë nga data e djeshme. Në këtë kontratë specifikohen ndryshimet e disa dispozitave ekzistuese dhe përfshirja e dispozitave të reja, që diktohen nga angazhimet e të dy palëve për zhvillimin me sukses të procesit të reformimit dhe modernizimit të arsimit, si dhe të kërkesave që rrjedhin nga plotësimi i standardeve të sotme europiane, për një arsim cilësor dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë.
“Objektivi ynë është që standardet e kontratës sonë t’u afrohen gjithmonë e më shumë atyre të kontratave kolektive të mësuesve në vendet europiane”, theksoi Tafaj.
 
 
 
Studimet europiane
 
Aplikimet vazhdojnë deri në 12 mars, fituesit do të shpallen në muajin maj
 
TIRANë – Vazhdon aplikimi për shkëmbim studentësh në 18 universitetet e Konsorciumit “Erasmus Mundus” - “Join EU-SEE”, për programe të plota studimore masteri dhe doktorature. Ashtu siç janë njoftuar edhe disa ditë më parë, aplikimet e të interesuarve do të pranohen online në faqen zyrtare të konsorciumit nga data 27 janar deri më 12 ,ars, ndërsa fituesit do të shpallen në muajin maj.
Përfitues të këtij programi janë studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, të cilët mund të përfitojnë nga shkëmbimi një semestër në një nga universitetet e konsorciumit e deri në studime të plota postdiplomike.
Bursat e “Erasmus Mundus” variojnë nga 1 mijë euro në muaj për studentët e “Bachelor”-it dhe deri në 2500 euro në muaj për pedagogët që do të përfitojnë nga shkëmbimi i stafit pedagogjik.
Gjithashtu, në lidhje me programet pasuniversitare europiane, janë shpallur edhe diplomat e nivelit të dytë në Studimet Europiane.
Programet Master i Nivelit të Dytë janë akorduar në këto degë: Legjislacioni dhe Institucionet Europiane, Politika dhe Qeverisja në Europë, Diplomacia dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Bashkimit Europian. Aplikimin në këto programe bëhet pranë zyrës përkatëse, ku kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e tyre.
Gjithashtu, aplikantët duhet të plotësojnë edhe disa kritere për t’u pranuar në këto programe pasuniversitare.
 
 
 
 
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›