Pasaportat, 9 njësi vendore me një zyrë aplikimi
PERMET - Qytetarëve përmetarë u duhen plot tri ditë për të aplikuar për kartat e reja të identitetit apo dhe pasaportat biometrike. Radha zihet në orën katër të mëngjesit. Kjo situatë është bërë e padurueshme sidomos për emigrantët, të cilëve iu nevojiten më shumë se kujtdo tjetër dokumentet e reja identifikuese. Arsyeja shpjegohet me faktin se funksionon vetëm një zyrë aplikimi me një person për të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi. Të gjithë banorët e nëntë njësive vendore të rrethit Përmet, dy bashki dhe shtatë komuna, kanë në dispozicion të tyre vetëm një zyrë, duke shënuar një rast unik, të paktën në Qarkun e Gjirokastrës. Radhët e njerëzve dhe gumëzhimat e tyre janë mjaft të dukshme në orët e paradites dhe pasdites në qendër të qytetit, aty ku është vendosur zyra e aplikimeve, në brendësi të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Vetëm një punonjës me një kompjuter është në dispozicion të morisë së personave që kërkojnë të pajisen me dokumentet e reja. Sipas punonjësit, bëhen rreth 70-80 aplikime në ditë për pasaporta dhe karta identiteti, pasi të tilla janë mundësitë, sidomos kur ka fluks si tani, kur emigrantët kanë ardhur për të festuar Pashkët. Puna fillon në orën 08:00 e mëngjesit dhe përfundon në orën 16:00, duke lënë ende në radhë persona që presin. Këta të fundit lënë stafetën te të tjerët që paraqiten për të marrë radhën e kështu përcillet radha ditën tjetër. Nuk kanë munguar as incidentet fizike mes aplikantëve, të cilët në kushtet e ngarkesës, kanë tejkaluar çdo normë etike edhe ndaj grave, duke u përleshur me to. Nisur nga këto incidente, ditën e djeshme, kreu i Bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, instaloi një patrullë policore bashkiake për disiplinim të radhës. Nga ana e tyre, qytetarët ankohen për këto anomali të vërejtura dhe kanë apeluar për shtimin e kapaciteteve aplikuese në këtë zyrë si dhe për hapjen e zyrave në bazë njësie vendore. p.n