E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, pushuesit i mëshojnë turizmit alternativ



“Resurset turistike në qarkun e Durrësit janë të pashtershme. Turizmi malor aktualisht mbetet ende në fillesat e veta. Ai mbetet një pasuri natyrore. Kështu, parku kombëtar i Qafë-Shtamës me vlerat e tij kurative dhe peizazhet e mrekullueshme tashmë është transformuar në një kuriozitet gjeografik”. Kështu u shpreh studiuesi Sali Hidri lidhur me interesimin e gazetës “standard” për resurset ende të pashfrytëzuara të turizmit malor në shkallë qarku. Janë të pakët ata që kalojnë ditët e pushimit në pyjet e këtij parku duke shijuar gjelbërimin e duke u freskuar në krojet me ujë të ftohtë që e përshkojnë atë. Dikur në këtë park gjendej një kamp pushimi, i cili tashmë është transformuar në një fortesë luftarake, pasi banorë të zonës bëjnë luftë me pronarin që e ka marrë atë me dokumente zyrtare. Ndërkaq, gjatë këtyre viteve dora e njeriut ka bërë kërdinë në këtë park, duke prerë me qindra drurë për qëllime biznesi, ndërsa qeveria dhe pushteti vendor kanë bërë pak për të joshur biznesin që të investojë në këtë degë të turizmit, si dhe për të ndërtuar një infrastrukturë bashkëkohore në ndihmë të këtij biznesi.

Turistët, interesim për Qafë-Shtamën

Turistët vendas dhe të huaj, pasi janë njohur me hartat dhe guidat turistike, këtë sezon kanë paraqitur një interesim të veçantë edhe për pyllin madhështor të Qafë-Shtamës. Ai përfaqëson një sipërfaqe me shtrirje 2000 hektarë të përbërë kryesisht prej drurësh halorë ku spikat veçanërisht pisha e zezë, një lloj i rrallë i familjes halore. Qafë-Shtama me vendim qeverie është shpallur park kombëtar. Parku gjendet 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Pamja e pyllit është në formë rrethore dhe është mjaft piktoreske.

Për të mbërritur në këtë park me një lartësi mbi 1000 m mbi nivelin e detit, duhet të përshkosh Kanionin e Vajës i cili është 600-700 m i thellë. Poshtë këtij kanioni kalon lumi i Drojës me ujë të pastër e të ftohtë. Sipas një historie të largët, pas pushtimit të qytetit të Krujës nga ana e turqve, dhjetëra vajza krutane u hodhën nga shkëmbinjtë e këtij kanioni për të mos rënë në duart e turqve.

Në këtë park ndodhet edhe një qendër e vogël klimaterike për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive, e cila përbëhet nga disa kabina të vogla portative. Në lartësitë 1150 -1220 m mbi nivelin e detit, në parkun e Qafë-Shtamës rritet pisha e zezë, një lloj mjaft i rrallë i familjes halore. Kjo pemë arrin një lartësi prej 13 metrash dhe ka një diametër të trungut 30 deri 40 cm. Sipas biologëve, kjo lloj pishe bart vlera biologjike, ekologjike, kulturore, didaktike dhe turistike.

Kroi i Nënës Mbretëreshë dhe Sari Salltiku

Në parkun e Qafë-Shtamës në lartësinë 1100 metra ndodhet edhe Kroi i Nënës Mbretëreshë. Emrin e ka marrë në fillimet e shekullit të XX për shkak se nga ky krua merrej uji të cilin konsumonte familja mbretërore e Zogut në Tiranë. Për çdo ditë një kamion përshkonte rrugën Tiranë – Qafë-Shtamë për të transportuar ujin e freskët e të pastër për familjen e mbretit. Ky burim ka ujë të bollshëm gjatë gjithë vitit. Pranë tij shtrihet pylli me pisha.

Monumenti mbart vlera natyrore, hidrografike, estetike dhe historike. Po në Krujë, në lindje të qytetit, në pjesën më të lartë të tij, në malin që mban të njëjtin emër me qytetin, ndodhet Sari Salltiku. Ai përfaqëson një objekt kulti, por pa dyshim edhe me vlera turistike. Është një shpellë me thellësi 20 m dhe lartësi 3 deri 4 metra. Në mes të shpellës gjendet një burim me ujë të ftohtë.

Sari Salltiku që në kohët e mesjetës është përdorur si një objekt kulti nga besimtarët bektashianë. Objekti vizitohet jo vetëm nga banorët e Krujës, por edhe banorë të zonave përrreth. Gjatë stinës së verës vizitorët shuajnë etjen në burimin e njohur të shpellës. Por të gjitha këto objekte dhe vende interesante të natyrës vizitohen vetëm nga një grusht njerëzish për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, si dhe të mungesës së vendeve akomoduese apo të fshatrave turistike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›