E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ktheheshin nga dasma, 1 e vdekur dhe 3 të plagosur në aksident

Ktheheshin nga një dasmë në Gjirokastër për në Tiranë, por nuk do ta kishin menduar kurrë se udhëtimi me makinë do të rezultonte fatal për jetët e tyre, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur Konjat, në aksin rrugor Lushnje-Rrogozhinë, kur automjeti tip “Benz” me targa AJ OO6 DCI ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Goditja ka qenë fatale dhe për pasojë ka humbur jetën Entela Binjaku, 21 vjeçe, ndërsa janë plagosur Elda Koleshi, 20 vjeçe, Ilir Koleshi, 28 vjeç dhe drejtuesi i mjetit, Harilla Koleshi, 35 vjeç. Pas ngjarjes, forcat e policisë së Lushnjes kanë shkuar menjëherë në vendngjarje duke bërë dhe transportimin e të plagosurve për në spital. Aktualisht, tre personat nga Tirana ndodhen nën kujdesin e rreptë të mjekëve. Sakaq, nga hetimet e para të specialistëve rrugorë të Lushnjes mësohet se shkak i aksidentit mendohet të jetë bërë shpejtësia e madhe e automjetit të drejtuar nga Harilla Koleshi, një gjë e tillë ka ardhur nga përgjumja e tij në timon.

Aksidenti

Një 21-vjeçare nga kryeqyteti ka gjetur vdekjen, ndërsa tre të tjerët kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik. Ngjarja e rëndë ka ndodhur kur pas dasmës në qytetin e Gjirokastrës, udhëtimin e kishte marrë përsipër Harilla Koleshi, që duke pasur makinën e tij, kishte marrë me vete të afërmit e tjerë.

Kështu, pasi ishin ndarë me të afërmit e tyre në dasmë, ata ishin nisur me makinën tip “Benz” pa zbardhur ende dita. Udhëtimi do të shkonte i qetë gjatë gjithë rrugës, por kjo deri në momentin kur në afërsi të fshatit Zhamë të Lushnjes gjithçka do të rezultonte fatale. Sipas të dhënave të policisë lokale, makina ka dalë duke përfunduar në kanal. Goditja ka qenë e fortë, dhe për pasojë në makinën ku ndodheshin katër dasmorët ka mbetur e vdekur Entela Binjaku, 21 vjeç, ndërsa janë plagosur rëndë Elda Koleshi, 20 vjeçe, Ilir Koleshi, 28 vjeç dhe Harilla Koleshi, 35 vjeç, të dy vëllezër.

Hetimi

Brenda pak kohësh, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor të Lushnjes, si dhe grupi hetimor, kanë mbërritur në vendin e aksidentit. Nga hetimet e para të kësaj të fundit, mësohet se makina me të cilën po udhëtonin dasmorët ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë së madhe, ku si shkak dyshohet të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit në timon. Shtetasve të plagosur u është dhënë ndihma e parë nga shërbimet e policisë, duke i dërguar menjëherë në spitalin e Lushnjes. Ndërkohë që në vendngjarje policia ka gjetur të vdekur brenda makinës 21-vjeçaren Binjaku, ndërsa ka nxjerrë të plagosur 20-vjeçaren Koleshi dhe dy të afërmit e saj, Ilir dhe Harilla Koleshin. Këta të fundit janë transportuar me urgjencë për në spital, ku aktualisht ndodhen nën kujdesin e rreptë të mjekëve specialistë.

E vdekur

Entela Binjaku, 21 vjeçe

Të plagosur

Elda Koleshi, 20 vjeçe

Ilir Koleshi, 28 vjeç

Harilla Koleshi, 35 vjeç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›