E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, pylli i Shën Pjetrit në flakë

 

DURRES - Një zjarr i befasishëm ka përfshirë në orët e vona të natës pyllin e Shën Pjetrit në gjirin e Lalëzit. Flakët e para janë lokalizuar në orën 17:30 të së hënës nga një efektiv i Policisë Pyjore. Por gjatë orëve të vona të natës zjarri u bë masiv duke shkrumbuar afro dy hektarë me shkurre dhe pisha të buta, pjesë kjo e kurorës së gjelbër të këtij pylli, i cili konsiderohet “Zonë e mbrojtur”. Pas një ndërhyrjeje energjike nga reparti antizjarr flakët janë vënë nën kontroll dhe në orët e para të mëngjesit janë shuar plotësisht. Mësohet se sipërfaqja e djegur është pronë shtetërore. Menjëherë pas shuarjes së zjarrit kanë nisur hetimet, të cilat janë përqendruar në dy pista, në atë të zjarrvënies së qëllimshme (për përfitim abuziv terreni) dhe në drejtim të ndonjë zjarri aksidental, që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë ekskursionist i pakujdesshëm.                        o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›